Ekip
03 Shtator 2020•Përditësim: 04 Shtator 2020
Bashkimi Evropian (BE) dënoi vendimin e SHBA-së për të vendosur sanksione ndaj dy zyrtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, e quajti vendimin si "masa të papranueshme dhe të paprecedenta që përpiqen të pengojnë hetimet e Gjykatës dhe procedurat gjyqësore".
Ai gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve amerikane të rishikojnë vendimin dhe rikujtoi që GJNP-ja duhet të jetë "në gjendje të punojë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, pa ndërhyrje nga jashtë".
Deklarata gjithashtu shprehu mbështetje për institucionin, i cili, siç thuhet, "luan rol thelbësor në dhënien e drejtësisë për viktimat e disa prej krimeve më të tmerrshme në botë".
Diplomati i lartë i BE-së premtoi të mbrojë GJNP-në nga "çdo përpjekje që synon pengimin e kursit të drejtësisë dhe minimin e sistemit ndërkombëtar të drejtësisë penale".
Të mërkurën, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo, njoftoi sanksione ndaj dy anëtarëve të GJNP-së, prokurores Fatou Bensouda dhe Phakiso Mochochoko-s, kreut të Divizionit të Juridiksionit, Komplementaritetit dhe Bashkëpunimit të Gjykatës, për përpjekje për të ndjekur penalisht shtetas amerikanë.
Kryediplomati amerikan e quajti gjykatën si "institucion tërësisht të korruptuar" dhe tha se SHBA-ja "nuk do të tolerojë që përpjekjet e saj të paligjshme t'i nënshtrojnë amerikanët nën juridiksionin e saj".
GJNP-ja në mars ka autorizuar një hetim mbi pretendimet për krime lufte në Afganistan të kryera nga forcat amerikan, afgane dhe talebanët. Përfshirja e trupave amerikane në hetim ka shkaktuar reagime nga ana e presidentit Donald Trump dhe zyrtarëve të tij të lartë.
Institucioni me bazë në Hagë, që funksionon nga viti 2002, është gjykata e parë dhe e vetme e përhershme ndërkombëtare që ka mandatin për të hetuar dhe ndjekur penalisht krimet kundër njerëzimit, gjenocidet dhe krimet e luftës.