Dilara Hamit
02 Korrik 2020•Përditësim: 02 Korrik 2020
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell i tha presidentit të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), Mustafa Akıncı të mërkurën se të dy komunitetet në Qipro duhet të përfitojnë nga pasuria e saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Borrell në një bisedë telefonike me Akıncı tha se BE-ja është në favor të bashkëpunimit në Mesdheun Lindor dhe se në të ardhmen ata duan të punojnë së bashku duke zhvilluar dialogje.
Akıncı, megjithatë, i tha Borrellit se dështimi i tij për t'u takuar me të gjatë vizitës në Qipro një javë më parë kishte shkaktuar shqetësime serioze tek komuniteti qipriot turk.
Duke thënë se ka dy palë kryesore në Qipro, Akıncı i tha Borrellit se më parë ishte takuar me ish-presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ish-presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, ish-presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe ish-Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini si në zyrën e tij ashtu edhe jashtë vendit.
Ai i tha Borrellit se qipriotët turq janë një nga palët në çështjen e hidrokarbureve dhe se propozimi i tij më 13 korrik 2019 për të eleminuar tensionet në Mesdheun Lindor është ende në tryezë.
Akıncı i potencoi Borrellit se ishte i gatshëm të punojë me BE-në në të gjitha nivelet për të zgjidhur çështjen e Qipros.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrell shprehu keqardhje për mos takimin me Akıncı gjatë vizitës së tij dhe tha se BE-ja do të kompensojë këtë mangësi në rastin e parë.