Fatih Erel
20 Dhjetor 2016•Përditësim: 20 Dhjetor 2016
GJENEVË (AA) – I dërguari i Posaçëm i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, synon të vazhdojë bisedimet e paqes për Sirinë në shkurt, thuhet në njoftimin e organizatës të publikuar të hënën, raporton Anadolu Agencuy (AA).
“I dërguari i posaçëm përshëndet miratimin e rezolutës 2328 (2016) të Kombeve të Bashkuara për Sirinë. Ai shpreson se kjo mund të paraqesë fillimin e kthimit të unitetit në Këshillin e Sigurimit. Bashkë me një sistem më të gjerë të OKB-ve, zyra e të Dërguarit të Posaçëm do të jetë tërësisht e përfshirë në zbatimin operacional të rezolutës në teren”, thuhet në kumtesë.
Këshilli i Sigurimit i OKB-ve, të hënën unanimisht votoi për dërgimin e vëzhguesve në lindje të Halepit të cilët do të duhet të monitorojnë largimin e civilëve nga qyteti i cili dikur llogaritej bastion i opozitës.
"I dërguari i posaçëm do të jetë tërësisht në konsulta me palët si dhe me spektrin më të gjerë të palëve të interesuara, përfshirë edhe komunitetin më të gjerë ndërkombëtar në mënyrë që të përgatisë me kujdes negociatat”, thuhet në njoftim.
"I dërguari i posaçëm dëshiron të njoftojë se qëllimi i Kombeve të Bashkuara është që të thërrasë negociatat në Gjenevë më 8 shkurt 2017”, thonë nga zyra e të Dërguarit të Posaçëm për Sirinë, Staffan de Mistura.
Një takim trilateral mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit do të mbahet sot në Moskë.