Elena Teslova
28 Tetor 2019•Përditësim: 29 Tetor 2019
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, diskutuan përmes telefonit mbi marrëveshjen e fundit turko-ruse mbi Sirinë, bëri të ditur sot Kremlini, transmeton Anadolu Agency (AA).
Vladimir Putin dhe Angela Merkel u dakorduan se zbatimi i marrëveshjes do të kontribuojë në stabilizimin në Siri, thuhet në njoftimin e Kremlinit.
"Sipas vlerësimit reciprok, zbatimi i dispozitave të memorandumit të miratuar nga Rusia dhe Turqia do të shërbejë për të stabilizuar situatën në verilindje të Sirisë dhe për të promovuar procesin politik ndërsirian, duke përfshirë në kontekstin e punës në fillim të komitetit kushtetues, të planifikuar për 30 tetor të këtij viti në Gjenevë", theksohet në njoftim.
Sipas njoftimit, Putin theksoi se marrëveshja respekton interesat e të gjitha palëve dhe do të punojë për të rikthyer sovranitetin e Sirisë.
Më 9 tetor, Turqia filloi operacionin “Burimi i Paqes” për të eliminuar terroristët nga Siria veriore në lindje të lumit Eufrat në mënyrë që të sigurojë kufijtë e Turqisë, të ndihmojë kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe të sigurojë integritetin territorial të Sirisë.