Ekip
06 mars 2018•Përditësim: 06 mars 2018
LONDËR (AA) – Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, u bëri thirrje Rusisë dhe regjimit sirian të Bashar al-Asadit që të zbatojnë plotësisht armëpushimin në Gutën Lindore në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Jam thellë i shqetësuar nga fushata ushtarake e vazhdueshme kundër civilëve në Gutën Lindore dhe raportet kredibile se avionët rusë po marrin pjesë në mënyrë aktive së bashku me regjimin e Asadit, në kundërshtim me kërkesën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një armëpushim 30-ditor. Zonat që vuajnë nga bombardimet janë zona të populluara me popullsi civile”, tha Johnson në një njoftim për media.
Johnson theksoi se pasi më pak se një javë më parë Rusia ka votuar për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ajo ka përgjegjësinë për të siguruar zbatimin e armëpushimit.
“Janë njoftime për një numër vdekjesh prej më shumë se 600 civilë gjatë dy javëve të fundit, përfshirë 200 sulme ajrore dhe mbi 100 të vrarë që kur Rusia votoi në favor të armëpushimit. E gjithë kjo një zonë që mos të harrojmë, vetë Rusia e shpalli si zonë de-eskaluese”, tha Johnson.
Guta Lindore, që ndodhet në periferi të lindjes së Damaskut dhe me një popullsi prej mbi 400 mijë banorë, ka qenë nën rrethimin shkatërrues për potuajse pesë vjet ndërsa qasja humanitare në enklavë është ndërprerë plotësisht.
“Njerëzit e Gutës Lindore mjaft kanë duruar, mes premtimeve të thyera të armëpushimit dhe ndalesave humanitare. Ne kërkojmë që Rusia dhe regjimi të ndërpresin veprimet ushtarake menjëherë dhe të sigurojnë shpërndarjen e vazhdueshme të ndihmës humanitare në Gutën Lindore dhe evakuimet mjekësore, siç u bë thirrje nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut këtë mëngjes në një rezolutë të propozuar nga Mbretëria e Bashkuar. Njerëzit e Gutës Lindore nuk mund të presin më”, tha Johnson.
Më 24 shkurt, KS i OKB-së miratoi një rezolutë që bën thirrje për një armëpushim 30-ditor pa vonesë në Siri.
Mbi 600 civilë janë vrarë gjatë dy javëve të fundit në ofensivën e vazhdueshme të forcave besnike të regjimit sirian të Asadit për të kërkuar enklavën e mbajtur nga opozitarët në lindje të Damaskut.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e përshkroi situatën si “ferr mbi tokë”.
Siria ka qenë e përfshirë në një luftë shkatërruese civile që ka lënë të vrarë mbi 500 mijë civilë dhe ka shkaktuar mbi një milion refugjatë.
Konflikti, tani në vitin e shtatë, filloi si një protestë civile nga civilët që bënin thirrje për reforma demokratike.