Ömer Tuğrul Çam
10 Dhjetor 2020•Përditësim: 10 Dhjetor 2020
Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) u mblodhën në Bruksel për të diskutuar shumë çështje, përfshirë paketën e shpëtimit dhe buxhetit prej 1.8 trilionë euro, negociatat tregtare me Britaninë pas Brexit-it, lufta kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe marrëdhëniet me Turqinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas programit zyrtar të samitit të fundit që zhvillohet nën presidencën e Gjermanisë, liderët do të shkëmbejnë pikëpamjet me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli.
Më pas do të diskutohet për luftën kundër COVID-19, përgatitjet për dorëzimin dhe shpërndarjen e vaksinave, njohja e testeve në mënyrë reciproke si dhe heqjen e kufizimeve të udhëtimit lidhur me pakësimin e efektit të pandemisë.
Në agjendën e samitit do të jetë edhe paketa e shpëtimit dhe buxhetit të BE-së prej 1,8 trilionë euro ndaj të cilës Hungaria edhe Polonia kanë vendosur veton me kushtin e mbizotërimit të ligjit.
Ndërkohë, nën titullin e ndryshimit klimatik edhe marrëveshja drejt objektivit për të ulur 55 për qind deri në 2030 emetimin e gazrave serë do të jetë një çështje tjetër e liderëve.
- Për Turqinë do të diskutohet në darkën e organizuar në mbrëmje
Liderët e BE-së në darkën e organizuar në mbrëmje do të diskutojnë marrëdhëniet e jashtme. Në këtë kuadër, do të bisedohet se si do të përparohet në marrëdhëniet transatlantike pas zgjedhjes së Joe Biden si president në SHBA.
Në mesin e çështjeve që liderët e BE-së do të bisedojnë në darkën e shtruar në mbrëmje do të jetë situata në Mesdheun Lindor dhe marrëdhëniet me Turqinë.
Për shkak se në agjendën e liderëve të BE-së ndodhet edhe çështja e negociatave për marrëveshjen se si do të zhvillohen marrëdhëniet tregtare me Britaninë pas largimit nga BE-ja, pritet që Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të japë informacione për liderët rreth negociatave që vazhdojnë.
Në ditën e dytë të samitit do të diskutohen marrëdhëniet e BE-së me vendet e Afrikës Veriore dhe rajonet që përfshijnë Libanin, Izraelin, Palestinën, Jordaninë dhe Sirinë.
Më pas liderët do bisedojnë për çështjen e sigurisë, hapat që do ndërmerren në luftën kundër terrorizmit, radikalizimit, ekstremizmit si dhe bashkëpunimin e vendeve të Evropës.
Ndërsa në fund të samitit krerët e Bankës Qendrore Evropiane dhe Euro Grupit do t’u bashkohen liderëve të BE-së. Në këtë seancë të emërtuar “Euro Summit” do të shkëmbehen pikëpamjet lidhur me situatën ekonomike brenda BE-së, Unionin Bankar dhe për Unionin e Tregjeve të Kapitalit.
Për shkak se kryeministri estonez, Jüri Ratas dhe kryeministri kroat, Andrej Plenkovic, nuk do të mund të marrin pjesë në samit, Rastas do të përfaqësohet nga kryeministri letonez Krisjanis Karins, ndërsa Plenkovic nga kryeministri slloven, Janez Jansa.