Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, në kuadër të Manifestimit tradicional për nder të Shën Kirilit, që mbahet me rastin e 24 majit, Ditës së iluministëve pansllav, vëllezërve Kirili dhe Metodi, ka realizuar takim me Papa Françeskun dhe sekretarin shtetëror të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pjetro Parolin në Selinë e Shenjtë në Romë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Xhaferi i paraprin delegacionit parlamentar të Maqedonisë së Veriut, si dhe zv/kryeministri Koço Angjushev, zv/ministri i Kulturës, Vladimir Lazovski, sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Viktor Dimovski, si dhe drejtori i Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare, Darijan Sotirovski.
Siç njofton kabineti i kryeparlamentarit Xhaferi, në 50-vjetorin e mbajtjes së Manifestimit tradicional për nder të Shën Kirilit, si edhe në 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Selisë së Shenjtë, Xhaferi zhvilloi takim me Papа Françeskun, ndërsa pastaj delegacioni u pranua në audiencë te Ati i shenjtë i Kishës Katolike Romake në Vatikan.
Në takim, Xhaferi shprehu kënaqësi që pikërisht në jubile të këtilla të rëndësishme, marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Selisë së Shenjtë intensifikohen dhe thellohen. Xhaferi, në emër të të gjithë qytetarëve, Papa Françeskut i shprehu falënderim të sinqertë për vizitën e paradokohshme historike në Maqedoninë e Veriut.
“Maqedonia e Veriut dhe qytetarët e saj gjithmonë kanë qenë dhe janë pjesë e civilizimit evropian. Vepra dhe trashëgimia e vëllezërve të shenjtë Kirili dhe Metodi, ose e Nënës Terezë ose e Skënderbeut, nuk i takojnë vetëm një shteti ose një populli, por janë përfitim botëror dhe simbol i qëndrueshmërisë dhe humanizmit. Ato janë universale sipas përmbajtjes së vet, ato janë pjesë e civilizimit evropian dhe botëror, ndërsa ne jemi të obliguar që ato vlera t'i kultivojmë dhe mbindërtojmë“, theksoi Xhaferi në takimin me Papa Françeskun.
Papa Françesku tha se prej Maqedonisë së Veriut është kthyer me përshtypje tepër të bukura, siç tha, është sidomos i prekur nga prirja e të rinjve të cilët "edhe pse me përkatësi të ndryshme fetare dhe etnike ndërtojnë bashkëjetesë".
"Besoj në unitetin e të rinjve, dhe këtë e ndjeva në vendin tuaj. Populli juaj është porta për krishterimin në Evropë, që është me rëndësi të jashtëzakonshme”, porositi Papa Françesku.
Kabineti i kryeparlamentarit thekson se Xhaferi dhe Papa Françepsku bashkërisht konstatuan se Maqedonia e Veriut, edhe në korniza botërore po bëhet shembull për promovimin e dialogut, si instrument për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura.
Në këtë kontekst, Papa Françesku, në çastin kur Kryetarit Talat Xhaferi ia dhuroi dhuratën - skulpturën që simbolizon paqen, tha: “Mesazhi është të jeni emisarët e paqes”.
Gjatë takimit me sekretarin shtetëror të Vatikanit, kardinalin Pjetro Parolin, kujdes i veçantë iu kushtua lirive fetare, si pjesë e të drejtave universale të njeriut. U përfundua se, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, respektohet në tërësi e drejta në fe, ndërsa me këtë edhe pozita e bashkësive fetare. Selia e Shenjtë e çmon veçanërisht qëndrimin e shtetit ndaj Kishës Katolike.
Xhaferi, në takim shprehu bindjen se Republika e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë ta ecë me sukses rrugën e vet euroatlantike dhe se për këtë presim mbështetje nga Vatikani, në pjesën e promovimit të shtetit tonë në kornizat evropiane dhe botërore.
Njëkohësisht, u theksua se edhe në periudhën e ardhshme duhet të vazhdojnë edhe më shumë të thellohen marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Selisë së Shenjtë në të gjitha sferat shoqërore, aty ku kjo nevojitet. Me këtë rast, u potencua edhe bashkëpunimi i deritanishëm në fushën bibliotekare, restaurimi dhe konservimi i materialeve, si edhe në ndihmën eksperte për arkivimin dhe ruajtjen e artefakteve religjioze.
Kryeparlamentari Xhaferi, i dhuroi Papa Françeskut një skulpturë të themeluesve të letërsisë dhe shkrim-leximit sllav, vëllezërve të shenjtë Kirili dhe Metodi, të krijuar nga skulptori i njohur Tome Serafimovski, ndërsa e frymëzuar nga përmendorja e iluministëve pansllav që ndodhet në Ohër.
Papa Françesku kryeparlamentarit Xhaferi i dhuroi një skulpturë në të cilën ka pëllumb dhe degë ulliri që e simbolizon paqen.
Në kuadër të Manifestimit për nder të Shën Kirilit, u mbajt lutje në Bazilikën San Klemente ku gjendet varri i Sh. Kirilit, në të cilën ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga delegacioni i Republikës së Bullgarisë.
Gjithashtu, të dy delegacionet bashkë do të vendosin lule të freskëta para pllakave të vendosura për nder të Shën Kirilit në Bazilikën Santa Marija Maxhore.