Fatih Hafız Mehmet
26 Dhjetor 2017•Përditësim: 27 Dhjetor 2017
NXHAMENA (AA) - Turqia dhe Çadi do të qëndrojnë së bashku për të luftuar terrorizmin, tha presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, i cili gjendet për vizitë në Çad, raporton Anadolu Agency (AA).
Komentet e presidentit Erdoğan erdhën në një konferencë të përbashkët për shtyp pas një takimi me dyer të mbyllura me Idriss Deby, homologun e tij nga Çadi.
Erdoğan tha se fondacion turk shtetëror për arsim Maarif ka marrë përsipër shkollat në Çad, që dikur i përkisnin organizatës terroriste FETO, organizatë e cila orkestroi grushtin e dështuar të shtetin vitin e kaluar në Turqi.
Fondacioni Maarif kohët e fundit ka marë kontrollin e shkollave të shumta të udhëhequra nga FETO në mbarë botën, duke përfshirë 32 vende në Afrikë.
Erdoğan tha se Çadi është një vend shumë i rëndësishëm për Turqinë.
"Rreth 50 projekte në Çad janë përfunduar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA)", tha ai.
Deby: Fëmijët tanë nuk do të arsimohen nga terroristët
Ndërkaq, Deby tha se fëmijët e Çadit nuk do të arsimohen më nga terroristët, duke iu referuar shkollave të mëparshme të organizatës terroriste FETO.
Deby tha se vizita e Erdoğanit, e para nga një president turk në Çad, është e rëndësishme dhe se marrëveshjet e nënshkruara gjatë vizitës së tij do të avancojnë marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve.
Turqia është vend i madh me një histori të gjatë dhe është e njohur në gjithë botën, tha Deby.
"Turqia ka luajtur rol shumë jetik në botën muslimane dhe në mbarë botën. Turqia është një urë midis botës arabe dhe Perëndimit", tha ai.
Presidenti i Çadit theksoi se ka shumë mundësi midis dy vendeve, si në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe teknologjisë.
Deby tha se ai gjithashtu ka folur me presidentin Erdoğan për çështjet që kanë të bëjnë me Kudsin, terrorizmin dhe stabilitetin në vendet si Libia.
Vizita e Erdoğanit në Çad është stacioni i dytë i turneut në Afrikë, duke filluar me Sudanin dhe duke përfunduar në Tunizi.
Mundësitë e Çadit për investitorët turq
Sipas Ministrisë turke të Ekonomisë, Çadi paraqet mundësi për investitorët turq në fusha si ndërtimi, bujqësia, përpunimi dhe ruajtja e ushqimit, përpunimi i produkteve të kafshëve, tekstilet, makineritë dhe energjia.
Çadi gjithashtu ka rezerva të pasura të arit, uraniumit dhe naftës.
Importet e Turqisë nga Çadi në dhjetë muajt e parë të vitit 2017 arritën në 26,9 milionë dollarë, ndërsa eksportet shkuan në 14,9 milionë dollarë, sipas Institutit Turk të Statistikave.