Ahmet Gürhan Kartal
29 Tetor 2020•Përditësim: 29 Tetor 2020
Tre persona janë konfirmuar të vdekur dhe disa të tjerë janë plagosur në një sulm me thikë në qytetin francez Nice, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sulmi ndodhi afër Bazilikës Notre Damme I'Assumption. Mediat lokale raportuan se policia ka arrestuar autorin e ngjarjes, i cili është dërguar në spital shkaku i plagëve të marra nga armë zjarri.
Viktimat janë një burrë dhe dy gra dhe sipas raporteve në mediat lokale dy prej viktimave iu prenë kokat. Policia konfirmoi se të paktën njërit prej viktimave iu pre koka.
Kreu i Bashkisë Nice, Christian Estrosi, i cili vizitoi vendin e incidentit tha se dy persona u raportuan se u vranë brenda kishës "në mënyrën më të tmerrshme të mundshme, si profesori", duke iu referuar mësuesit, Samuel Paty të cilit iu pre koka në periferi të Parisit në fillim të këtij muaji.
"Konfirmoj se gjithçka sugjeron një sulm terrorist në Bazilikën Notre-Damme", shkroi më herët në rrjetet sociale Estrosi.
Një grua vdiq jashtë kishës pasi iu nënshtrua plagëve të saj.
"Nice: një operacion policor është në proces. Shmangni zonën dhe ndiqni udhëzimet", shkroi në Twitter ministri i Punëve të Brendshme, Gerard Dermanin, i cili po ashtu ka thirrur një takim urgjent në Matignon, ku do të marrë pjesë edhe presidenti Emmanuel Macron.
Prokuroria Kombëtare e Antiterrorizmit ka nisur një hetim.
Sulmi i mëngjesit të sotëm është i fundit në një valë veprimesh terroriste që kapluan vendin mes tensioneve në rritje në Francë për masat anti-islamike.
Sipas mediave lokale, në një incident tjetër të sotëm, policia franceze qëlloi për vdekje një burrë me thikë që thuhet se kërcënoi oficerë të policisë në qytetin francez Avignon.