Cüneyt Karadağ
27 Janar 2022•Përditësim: 28 Janar 2022
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, mbrojti politikën e vendit të saj ndaj kritikave se kanë bërë shumë pak për Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim në parlamentin federal, Baerbock, tha se "Ukrainën e mbështesim ushtarakisht. E kemi furnizuar me helmeta ushtarake mbi kërkesën e Ukrainës. Kjo ishte kërkesa e veçantë që kemi përmbushur fillimisht".
Duke folur rreth kritikave ndaj politikës së vendit të saj për Ukrainën, ministrja gjermane Baerbock deklaroi:
"Disa kërkojnë dorëzimin emergjent të armëve. Në situata të vështira duhet të bëni autokritikë për veprimet tuaja. Një deklaratë për shtyp mund të shkruhet shpejt, por kthimi i drejtimit tuaj të politikës së jashtme në 180 gradë duhet të bëhet me vetëdije të plotë", tha kryediplomatja gjermane.
Ajo gjithashtu u shpreh se "duhet të parandalohet mbyllja e sërishme e rrugëve diplomatike", duke shtuar: "Ukrainën duhet ta forcojmë ekonomikisht dhe financiarisht sepse njerëzit në shekullin e 21 nuk kërcënohen vetëm me topa".