Ekip
23 Prill 2019•Përditësim: 24 Prill 2019
Gjykata e Lartë e Mianmarit sot hodhi poshtë apelin e dy gazetarëve të Reuters-it, të cilët vitin e kaluar u dënuan me nga 7 vite burg për shkelje të Aktit të Sekreteve Zyrtare, kur kanë hulumtuar vrasjen e 10 personave të komunitetit Rohingya në shtetin Rakhine të Mianmarit, raporton Anadolu Agency (AA).
"Gjykata e Lartë konfirmoi më herët vendimet e instancave më të ulta gjyqësote", ka thënë gjykatësi Soe Naing.
32-vjeçari Wa Lone dha 28-vjeçari Kyaw Soe Oo në shtator të vitit të kaluar u dënuan me 7 vite burg për shkak se kanë hulumtuar vrasjen e 10 personave të komunitetit Rohingya në shtetin Rakhine të Mianmarit të kryer nga forcat e Mianmarit.
Gjykatësi Yangon Ye Lwin atëherë deklaroi se gazetarët u dënuan se ishin fajtorë për mbledhjen e dokumenteve shtetërore të klasifikuara dhe transferimin e mundshëm të këtyre dokumenteve për grupet që luftonin kundër Qeverisë së Mianmarit.
Avokati mbrojtës Khin Maung Zaw tha për AA se ishte i zhgënjyer me vendimin e Gjykatës së Lartë, por se mbrojtësit e tij kishin të drejtën të nisnin një apel të ri. Ai shtoi se para gjykimit të Gjykatës së Lartë, klientët e tij kanë thënë se nuk duan të vazhdojnë betejën ligjore.
"Ata thjesht humbën besimin në sistemin ligjor. Megjithatë, ne nuk e humbim shpresën, ka edhe disa dalje të tjera, përfshirë edhe faljen e presidentit", tha Khin.
Chit Su Win, bashkëshortja e Kyaw Soe Ooa për AA tha se aspak nuk e di përse burri i saj është dënuar.
"Ata duhej të shpërbleheshin për punën e tyre, dhe jo të lihen prapa grilave", tha Chit.
Gazetari Wa Lone pas vendimit në shtator të vitit të kaluar deklaroi se vendimi është i padrejtë, sepse si gazetarë kanë bërë punën e tyre dhe kanë hulmutuar vrasjet e paligjshme të civilëve.