Yusuf Hüseyin
05 Gusht 2020•Përditësim: 05 Gusht 2020
Guvernatori i Bejrutit, Mervan Abbud, tha se qindra mijëra persona që doemos duhej të braktisnin shtëpitë pas shpërthimit të djeshëm në Portin e Bejrutit, nuk do të mund të kthehen para dy ose tre muajve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Abbud në konferencën për mediat deklaroi se ende nuk ka informacione për numrin e të zhdukurve.
“Bejruti është shndërruar në një vend katastrofe. Gjysma e qytetit është shembur. Qindra mijëra persona që doemos duhej të braktisnin shtëpitë nuk do të mund të kthehen para dy ose tre muajve”, tha Abbud.
Abbud më herët theksoi se dëmi nga shpërthimi në port në këtë qytet libanez arrin mes tre dhe pesë miliardë dollarë.
Shpërthimi ndodhi dje diçka pas orës 18:00 në Portin e Bejrutit. Siç raportuan mediat, në një nga depot fillimisht shpërtheu zjarr, e më pas pasoi shpërthimi që u dëgjua edhe në periferi. Në rrjetet sociale u publikuan video në të cilat mund të shihet se bëhet fjalë për një shpërthim shumë të fuqishëm.
Sipas të dhënave të fundit që i shpalosi Kryqi i Kuq i Libanit, gjatë shpërthimit humbën jetën së paku 100 persona, ndërsa rreth 4.000 të tjerë u plagosën.