Mahmut Atanur
16 Dhjetor 2017•Përditësim: 16 Dhjetor 2017
XHAKARTA (AA) - Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e tërmetit prej 7,3 ballësh që ka goditur ishullin Java të Indonezisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare kundër Fatkeqësive, Sutopo Purwo Nugroho, ka njoftuar se dy persona kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së shtëpive nga tërmeti i cili goditi ishullin Java.
Nugroho ka konfirmuar se në Javën Perëndimore ka humbur jetën një grua e moshës 62-vjeçare dhe në Javën Qendrore një i moshuar 80 vjeç, pasi kanë mbetur nën rrënojat e shtëpive të shembura.
Ai më tej ka theksuar se në rajonet Tasikmalaya, Pangandaran dhe Ciamis janë shembur më shumë se 40 shtëpi si dhe krahas 65 shtëpive janë dëmtuar edhe ndërtesa të tjera, si spitale apo institucione publike.
Agjencia Meteorologjike e Indonezisë kishte njoftuar se tërmeti ka qenë 7,3 ballë me epiqendër 43 kilometra në juglindje të qytetit Tasikmalaya, në një thellësi prej 105 kilometrash, ndërsa Qendra e Kërkimit Gjeologjik e SHBA-ve e ka njoftuar 6,5 ballë fuqinë e tërmetit.
Gjithashtu bëhet e ditur se është hequr pas dy orësh alarmi i cili ishte dhënë për një cunami të mundshëm pas tërmetit i cili zgjati rreth 30 sekonda.