Haydar Hadi
07 Dhjetor 2017•Përditësim: 07 Dhjetor 2017
BAGDAD (AA) – Qeveria e Irakut i ka dorëzuar notë diplomatike Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) pas njohjes së Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, njoftoi ministria e jashtme e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim me shkrim nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme irakiane, Ahmet Mahxhub, bëhet e ditur se si pasojë e vendimit të presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Jerusalemin, ambasadori amerikan në Bagdad, Douglass Silliman, është thirrur në ministri, ku i është dorëzuar notë diplomatike.
Ndryshe, presidenti amerikan Trump të mërkurën deklaroi se ka ardhur koha ta njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane në këtë qytet, edhe pse rezoluta 478 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) në vitin 1980 nuk e njeh aneksimin e Jerusalemit Lindor dhe shpalljen e tij si kryeqytet.