Mustafa Melih Ahıshalı
04 Janar 2023•Përditësim: 06 Janar 2023
Aktorja e njohur nga Irani, Taraneh Alidoosti, e cila u ndalua me akuzën e “nxitjes” së protestave të nisura pas vdekjes së Mahsa Aminit në Iran, u lirua me kusht, transmeton Anadolu Agency (AA).
Lirimin e saj e ka bërë të ditur nëna e Alidoosti-t, Nadire Hekimullahi, përmes një postimi në llogarinë e saj në Instagram.
Avokati i aktores iraniane njoftoi në mëngjes se artistja do të lirohej me kusht "në këmbim të garancisë financiare".
Aktorja iraniane me famë botërore, Alidoosti, postoi një foto të saj pa shami në mediat sociale në mbështetje të protestave në vend dhe u arrestua më 17 dhjetor për "mbështetje të demonstratave kundër regjimit", "publikim të përmbajtjes së pavërtetë" dhe "nxitje të protestave".
Protestat në Iran
Vdekja e 22-vjeçares Mahsa Emini, e cila u sëmur dhe u dërgua në spital pasi u ndalua nga patrullat e Irshad-it, e njohur si "policia e moralit", më 13 shtator në Teheran, shkaktoi protesta antiqeveritare që u përhapën në të gjithë vendin.
Organizata Iraniane për të Drejtat e Njeriut (IHR) me qendër në Norvegji, në raportin e saj të publikuar më 27 dhjetor njoftoi se si pasojë e ndërhyrjes së forcave të sigurisë ndaj protestave, humbën jetën 476 protestues.