Ali H. M.Abo Rezeg
23 prill 2019•Përditësim: 24 prill 2019
Parlamenti i Iranit ka miratuar një projektligj që vendos Komandën Qendrore të SHBA-ve (CENTCOM) në listën e terrorit të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve IRNA, vendimi erdhi si përgjigje ndaj vendosjes së Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) në listën e zezë të Washingtonit.
IRNA tha se vendimi erdhi në “kundërshtimin e lëvizjes së SHBA-ve për të dobësuar paqen dhe sigurinë e rajonit si dhe të gjithë botës duke etiketuar IRCG-në si një grup terrorist”.
Agjencia iraniane e lajmeve po ashtu kualifikon qeverinë dhe forcat e armatosura iraniane se “ndërmarrin veprimet e nevojshme që forcat amerikane të mos jenë në gjendje të përdorin pushtetin dhe objektet e tyre kundër interesave të Iranit”.
Vendimi i sotëm po ashtu përcakton se çdo bashkëpunim me CENTCOM konsiderohet si një “akt terrorist”.
Javën e kaluar, Parlamenti iranian miratoi një projektligj që i konsideron të gjitha forcat e SHBA-ve që veprojnë në Lindjen e Mesme si terroriste, në hakmarrje për etiketimin e IRGC-së si një organizatë terroriste.
Veprimi për vendosjen e CENTCOM-it në listën e terrorist të Iranit vjen një ditë pasi administrata e SHBA-ve paralajmëroi se do t’i japë fund përjashtimit nga sanksionet për importin e naftës nga Irani për 8 vende, ku bëjnë pjesë Turqia, Kina, Greqia, India, Italia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Tajvani.
SHBA-të ri-imponuan sanksione mbi eksportet iraniane të naftës në muajin nëntor pasi Washingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Teheranin.
Administra amerikane më pas njoftoi se do të japë përjashtime 180-ditore në 8 vende për t’i ndihmuar ata të largonin furnizimin e tyre me naftë iraniane.