Sibel Uğurlu
21 Dhjetor 2018•Përditësim: 21 Dhjetor 2018
KUDS (AA) – Ushtria izraelite shkatërroi tunelet të cilat pretendon se janë hapur nga grupi Hezbollah nga Libani jugor deri në Izrael, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ushtria izraelite të enjten në mbrëmje njoftoi se aksioni është pjesë e operacionit "Mburoja veriore". Më tej theksohet se për këtë janë dëgjuar shpërthime të fuqishme pranë kufirit me Libanin dhe se për çdo gjë kanë qenë të informuar banorët dhe kryetarët e komunave në zonën ndërkufitare.
Ushtria izraelite më 4 dhjetor nisi operacionet për zbulimin dhe shkatërrimin e tunelëve nënkufitarë.
"Përpjekjet tona kanë për qëllim shkatërrimin e tuneleve ofensive të Hezbollahut të cilat shtrihen deri në territorin tonë", pati deklaruar më parë zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee.
Ai pohon se tunelët paraqesin kërcënim serioz për qytetarët e Izraelit.
"Kjo është një shkelje flagrante e sovranitetit izraelit", ka thënë Adraee, duke përshkruar tunelet si shkelje serioze të rezolutës së OKB-së, kryesisht rezolutës 1701, sipas së cilës në vitin 2006 u ndalua sulmi izraelit ndaj Libanit.
Izraeli në vitin 2006 nisi luftën kundër Hezbollahut, gjatë së cilës u vranë të paktën 1200 njerëz, kryesisht civilë libanezë.