Sibel Vezaj,Meltem Bulur
16 Nëntor 2017•Përditësim: 17 Nëntor 2017
PRISHTINË/ANKARA (AA) – Nga dita e nesërme deri më 19 nëntor do të mbahen punimet e “Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë Halifax” në Kanada, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga shumë shtete të botës, përfshirë edhe nga Kosova, Turqia dhe Serbia, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në këtë forum ndërkombëtar, Kosova do të prezantohet nga presidenti Hashim Thaçi, i cili siç njoftohet nga presidenca kosovare, do të jetë njëri ndër folësit kryesor në forum. Nga presidenca kosovare theksojnë se pritet që presidenti Thaçi të prezantojë të arriturat e Kosovës, si dhe të zhvillojë takime të ndryshme me përfaqësues të Kanadasë, NATO-s dhe shteteve pjesëmarrëse në forum.
Kryenegociatori dhe ministri turk për Çështje të Bashkimit Evropian, Omer Çelik dhe shefi i Shtatmadhorisë së Turqisë, Hulusi Akar, poashtu kanë udhëtuar nga Turqia për të marrë pjesë në forum.
Ndërkaq, Serbia do të përfaqësohet nga udhëheqësi i çështjeve politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Zoran Vujiç.
Forumi i Sigurisë Halifax është i përkushtuar në përforcimin e bashkëpunimit strategjik midis demokracive dhe është i njohur si tubim i udhëheqësve demokratik të angazhuar për sigurinë globale dhe prosperitetin. Komuniteti që takohet në Halifax përfaqëson më shumë se 91 vende, por është i kufizuar në 300 pjesëmarrës.
Ky forum angazhohet në trajtimin e kërcënimeve globale të sotme, si në lufta, terrorizëm, sulmet kibernetike, si dhe në përhapjen e shpejtë bërthamore ndaj ndryshimeve klimatike, sigurisë së resurseve, pandemive dhe stabilitetit ekonomik.
Forumi mbahet në rajonin Halifax të qytetit Nova Scotia, në Kanada.