Islam Uddin
10 shkurt 2022•Përditësim: 11 shkurt 2022
Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, i ka propozuar një tjetër ofertë dialogu liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, duke theksuar se ai është i gatshëm të takojë liderin koreano-verior, transmeton Anadolu Agency (AA).
Deklarata e tij vjen pas testit të fundit raketor të Phenianit, që rriti tensionet në Gadishullin Korean.
"Përderisa ekziston vullneti për t’u përfshirë në dialog, qoftë nëse samiti do të mbahet ballë për ballë apo në mënyrë virtuale, nuk ka rëndësi. Çfarëdo metode që Koreja e Veriut dëshiron do të jetë e pranueshme", tha Moon gjatë një interviste me mediat e huaja dhe vendase.
Moon theksoi se dëshiron të ecë përpara me dialog para se të përfundojë mandati i tij aktual në muajin maj.
"Po ashtu nuk është mirë të vendosen parakushte për dialog. Besoj se do të ishte e dobishme parakushtet e tilla të diskutohen në një tryezë bisedimesh", tha Moon.
Më herët, SHBA tha se është e gatshme të punojë me Korenë e Veriut për dialog të pakushtëzuar.
Megjithatë, Koreja e Veriut deri më tani nuk i është përgjigjur ofertës së SHBA-së dhe Koresë së Jugut.
Muajin e kaluar, Kim Jong-un paralajmëroi se kërcënimet e SHBA-së "kanë arritur një vijë të rrezikshme që nuk mund të anashkalohen", duke i porositur zyrtarët e mbrojtjes që "menjëherë të fillojnë të forcojnë mjetet fizike për të kundërshtuar lëvizjet armiqësore" të SHBA-së.
Lideri i Koresë së Veriut tha se SHBA ka zhvilluar "qindra stërvitje të përbashkëta luftarake dhe ka kryer teste të të gjitha llojeve të armëve strategjike, derisa transporton mjete sulmuese ultra-moderne në Korenë e Jugut dhe armë strategjike bërthamore në rajonin përreth Gadishullit Korean, duke kërcënuar seriozisht sigurinë e shtetit tonë".
Ai akuzoi SHBA-në për minimin e përparimit të bërë në bisedimet Phenian-Washington.
- "Përgjigje më e fortë dhe më e qartë nëse SHBA vazhdon qëndrimin e saj të konfrontimit"
Muajin e kaluar, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, njoftoi kufizime të tjera në përgjigje, me çka inatosi Phenianin, i cili kërcënoi me një "përgjigje më të fortë dhe më të qartë nëse SHBA vazhdon qëndrimin e saj të konfrontimit".
Në muajin janar, Koreja e Veriut kreu shtatë teste raketore të konfirmuara, përfshirë të një rakete hipersonike të zhvilluar së fundmi.
"Nëse seria e lëshimeve të raketave të Koresë së Veriut shkon deri në heqjen e moratoriumit për testet e raketave me rreze të gjatë veprimi, Gadishulli Korean menjëherë mund të kthehet në gjendjen e krizës me të cilën u përballëm pesë vite më parë", paralajmëroi Moon.
Moon po ashtu u ankua për dështimin e marrëveshjes midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut në vitin 2018 dhe 2019 gjatë mandatit të ish-presidentit Donald Trump.
"Është shumë për të ardhur keq që samiti përfundoi pa marrëveshje kur duhet të ishte siguruar të paktën vazhdimi i dialogut", tha Moon, duke iu referuar takimit Trump-Kim të vitit 2019 në Hanoi.
Ai shtoi se Seuli dhe Washingtoni janë të gatshëm të vazhdojnë përpara me Phenianin për t’u dhënë fund tensioneve në Gadishullin Korean.