Amir Latif Arain
09 shtator 2026•Përditësim: 09 shtator 2026
Koreja e Jugut ka bërë të ditur se vazhdon konsultimet me një sërë vendesh lidhur me “kontributet praktike” të saj në Ngushticën e Hormuzit, e cila është pothuajse e mbyllur, mes armiqësive të reja ndërmjet SHBA-së dhe Iranit, transmeton Anadolu.
Duke cituar një zyrtar të presidencës, gazeta lokale në gjuhën angleze Korea JoongAng Daily tha se vendi vazhdon “konsultimet me një sërë vendesh, konkretisht me SHBA-në, për kontributet e saj praktike në Ngushticën e Hormuzit”.
“Qëndrimi i Koresë është që të luajë rol në përpjekjet ndërkombëtare për ta mbajtur Ngushticën e Hormuzit të hapur për lundrim. Jemi në bisedime me Francën, Britaninë dhe SHBA-në”, tha zyrtari koreano-jugor.
Duke sinjalizuar se Seuli nuk do të nxitojë me dislokimin e trupave në Ngushticën e Hormuzit, presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, dje gjatë një takimi 2-orësh në Paris me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, tha se çdo vendim në këtë drejtim do të bazohet në “interesat kombëtare dhe konsensusin publik” të Koresë së Jugut dhe jo në presionin e jashtëm.
"Duke njohur rëndësinë e stabilitetit në ngushticë, do të përcaktojmë mënyrën se si do të kontribuojmë bazuar në interesat tona kombëtare dhe konsensusin publik", shtoi Lee.
Diskutimi u përqendrua në kontributet e mundshme të Koresë së Jugut në përpjekjet ndërkombëtare për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lundrimit.
"Do të ishte e parakohshme që diskutimi i sotëm të cilësohej si një diskutim për dislokimin e trupave", tha më tej zyrtari i presidencës.
"Ende nuk kemi përcaktuar se çfarë forme mund të marrë kontributi ynë. Kjo do të thotë se ende nuk po diskutojmë mes opsioneve luftarake dhe joluftarake. Diskutimi nuk e çoi përpara procesin e shqyrtimit", shtoi ai.