Selçuk Acar
29 Gusht 2017•Përditësim: 29 Gusht 2017
NJU JORK (AA) - Koreja e Veriut ka kryer edhe një testim të ri të raketës balistike pavarësisht paralajmërimeve të ashpra të presidentit amerikan Donald Trump dhe vendimeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), raporton Anadolu Agency (AA).
Japonia ka njoftuar se Koreja e Veriut ka kryer testim të ri të raketës balistike dhe se raketa ka kaluar mbi territorin e Japonisë.
Në një deklaratë të kryeministrit japonez Shinzo Abe në lidhje me çështjen thuhet se raketa balistike e lëshuar nga Koreja e Veriut ka kaluar hapësirën ajrore të Japonisë.
Duke bërë të ditur se kanë ndjekur lëvizjen e raketës Abe ka thënë: "Menjëherë pas lëshimit qeveria japoneze ka ndjekur nga afër lëvizjen e raketës dhe ka marrë masat e nevojshme për sigurinë e qytetarëve. Raketa përbën kërcënim në nivel të paparë për paqen dhe stabilitetin e rajonit".
Ndër të tjera Abe ka vënë theksin se ka diskutuar çështjen në një bisedë telefonike 40 minutëshe me presidentin amerikan Donald Trump.
Bëhet e ditur se raketa e re e testuar nga Koreja e Veriut pasi ka kaluar mbi ishullin Hokkaido të Japonisë është ndarë në tre pjesë dhe ka rënë në Oqeanin Paqësor në një distancë rreth 1000 kilometra nga toka.
Ndërsa kryesekretari i kabinetit të Japonisë Yoshihide Suga, ka theksuar se raketa e lëshuar nga Koreja e Veriut përbën një kërcënim serioz dhe se ndaj kësaj do të jepet përgjigje e ashpër në kohën e duhur.
Në një deklaratë nga Koreja e Jugut në lidhje me testimin raketor bëhet e ditur se raketa e lëshuar në orën 06.06 të mëngjesit me orën lokale ka arritur në 550 kilometra lartësi dhe se ka kryer një distancë gjithsej 2.700 kilometra.
Drejtori i Operacioneve të Shtypit të Departamentit amerikan të Mbrojtjes (Zëdhënësi i Pentagonit) koloneli Rob Manning në një deklaratë tha se "Po vlerësojmë testimin raketor të Koresë së Veriut. Raketa që ka kaluar mbi Japoni nuk mund ta konfirmojmë se është lëshuar nga Koreja e Veriut. Jemi në një proces vlerësimi në lidhje me lëshimin e kësaj rakete".
Ndër të tjera koloneli Manning tha se testimi i Koresë së Veriut nuk përbën ndonjë rrezik emergjent për SHBA-të.
Gjithashtu përfaqësuesi i përhershëm i Japonisë në OKB, Koro Bessho pasi njoftoi se ka thirrur në takim urgjent KS-OKB-në për të biseduar mbi çështjen në lidhje me testimin raketor tha se "Komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë më shumë presion mbi Korenë e Veriut".