Talha Yavuz
06 Nëntor 2019•Përditësim: 06 Nëntor 2019
Kremlini shprehu shqetësime lidhur me vendimin e Iranit për të rifilluar pasurimin e uraniumit, tha të martën Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, raporton Anadolu Agency (AA).
"Shpërbërja e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Aksionit (JCPOA) nuk është shenjë e mirë", tha ai.
Peskov tha se ata i kuptojnë shqetësimet e Iranit për sanksionet e paprecedentë kundër vendit, të cilat konsiderohen si të paligjshme.
Rusia mbështet ruajtjen e marrëveshjes bërthamore të Iranit, e njohur gjithashtu si JCPOA, e cila u nënshkrua në vitin 2015 midis Iranit dhe Rusisë, Kinës, Francës, Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve plus Gjermanisë.
"Ne jemi duke i ndjekur zhvillimet me shqetësim sepse nuk është mirë të shkatërrohet një plan gjithëpërfshirës", tha Peskov.
Të martën, presidenti iranian Hassan Rouhani tha se Irani do të fillojë hapin e katërt në zvogëlimin e angazhimeve të tij për marrëveshjen bërthamore.
Tensionet janë përshkallëzuar midis SHBA-ve dhe Iranit pasi presidenti amerikan Donald Trump në maj të vitit 2018 tërhoqi vendin e tij nga marëveshja bërthamore midis Teheranit dhe 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermanisë dhe BE-së.
Pas vendimit të njëanshëm të SHBA-ve për t'u tërhequr nga marrëveshja, Irani filloi të shkurtojë angazhimet e tij për marrëveshjen si një veprim hakmarrës.