Ahmed al-Masri,Safiye Karabacak
16 Gusht 2017•Përditësim: 16 Gusht 2017
KUVAJT (AA) - Emiri i Kuvajtit, sheiku Sabah el-Ahmed el-Xhabir es-Sabah, ka pritur në një takim ministrin e Jashtëm të Katarit, Muhamed bin Abdurrahman al-Thani, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare të lajmeve KUNA të Kuvajtit, mësohet se në takimin e zhvilluar në rezidencën Bejan, ministri i Katarit i ka përcjellë emirit të Kuvajtit mesazhin e emirit të Katarit Temim bin Hamad Al Sani.
Theksohet se mesazhi në fjalë ka qenë në lidhje me "zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare dhe rajonale për marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet dy vendeve dhe popujve të tyre."
Teksa nuk janë dhënë detaje në lidhje me përmbajtjen e mesazhit theksohet se në takim kanë qenë të pranishëm edhe pasardhësi i kurorës së Kuvajtit, Nevvaf el-Ahmed el-Xhabir es-Sabah, ministri i Jashtëm, Sabah el-Halid el-Hamad es-Sabah dhe ministri i shtetit përgjegjës për kabinetin e ministrave të Kuvajtit, Muhammed el-Abdullah el-Mubarek es-Sabah.
Ministri i Jashtëm i Kuvajtit, Sabah el-Halid el-Hamad es-Sabah, në takimin e mbajtur më 9 gusht në kryeqytetin Doha i përcolli emirit të Katarit mesazhin e emirit të Kuvajtit.
Bëhet e ditur se Kuvajti kryen ndërmjetësuesin për zgjidhjen e krizës së Gjirit.
Kriza e Gjirit filloi pasi Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti me 5 qershor ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin.