Ruslan Rehimov
12 korrik 2016•Përditësim: 12 korrik 2016
BAKU (AA) – Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergey Lavrov ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve Turqi-Rusi do të jetë në të mirë të të dy shteteve për gjetjen e rrugëve të përbashkëta për zgjidhjen e krizës në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Lavrov, i cili ndodhet në Azerbajxhan për të zhvilluar takime zyrtare, u takua me homologun e tij Elmar Mammedyarov. Pas takimit, ministrat organizuan konferencë të përbashkët për media.
Në fjalimin e tij, Memmedyarov bëri të ditur se me homologun e tij kanë biseduar në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe, për çështje rajonale si dhe për procesin e zgjidhjes së problemit të Malësisë së Karabakut.
Duke theksuar se po zhvillohet dialog intensiv për zgjidhjen e çështjes së Malësisë së Karabakut, Memmedyarov vuri në pah se kjo çështje duhet zgjidhur në mënyrë graduale dhe se prania e ushtrisë armene në territoret e okupuara paraqet rrezik për rajonin.
Memmedyarov tha se me homologun rus biseduan për normalizimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Rusisë dhe se Lavrov e ka informuar atë në lidhje me gjendjen aktuale. “Azerbajxhani është i gëzuar që marrëdhëniet Turqi-Rusi kanë filluar të normalizohen. Sa më të mira të jenë marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë, aq më mirë është Azerbajxhani në çdo fushë”, u shpreh Memmedyarov.