Betül Yürük
05 Prill 2017•Përditësim: 06 Prill 2017
OKB (AA) - Përfaqësuesi i Përhershëm i Britanisë në Kombet e Bashkuara, Matthew Rycroft në lidhje me sulmet me armë kimike në qytetin Idlib të Sirisë tha se "Asadi po turpëron Rusinë përpara syve të botës. Rusia nëse dëshiron të rifitojë reputacionin e saj, duhet të dënojë këtë sulm" raporton Anadolu Agency (AA).
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) pas sulmit me armë kimike të kryer në qytetin Idlib të Sirisë është mbledhur për të diskutuar kërkesën e Francës dhe Britanisë në lidhje me çështjen në fjalë.
Përfaqësuesi i Përhershëm i Britanisë në OKB, Rycroft në një fjalim të mbajtur në KS duke vënë në dukje se vetot e Rusisë dhe Kinës në KS-OKB kanë inkurajuar regjimin e Asadit, tha se rezultatet e këtyre vetove janë rikthyer dje në Idlib si sulme kimike.
Pasi ka shtuar se të gjitha gjetjet tregojnë se ky sulm ka ardhur nga ajri për disa orë, se është përdorur gaz nervor dhe se sulmet janë kryer nga regjimi, Rycrift ka theksuar se përdorimi i armëve kimike është krim lufte.
"Asadi turpëron Rusinë"
"Asadi po turpëron Rusinë përpara syve të botës. Rusia nëse dëshiron të rifitojë reputacionin e saj, duhet të dënojë këtë sulm", është shprehur Rycroft.
Ndër të tjera duke paralajmëruar se në rast se Rusia nuk ndryshon qëndrimin e saj KS-OKB-ja mund të bllokohet sërish Rycroft, tha: "Bota na vëren si diplomatë që nuk mund të bëjnë asnjë gjë, i kemi duart e lidhura përballë qëndrimit të papajtueshëm të Rusisë... Cili është plani juaj për t'iu dhënë fund këtyre sulmeve të pakuptimta? Ne kishim një plan, por ju e refuzuat këtë për të mbrojtur Asadin."
Ndërsa Përfaqësuesi i Përhershëm i Francës në Kombet e Bashkuara, Francois Delattre tha se "Çfarë presim për të dënuar ata që vrasin fëmijët dhe gratë, që i bëjnë ata të vuajnë pa masë...Bota po na vëzhgon."
Duke tërhequr vëmendjen se heshtja e komunitetit ndërkombëtar përballë përdorimit të armëve kimike do të dërgojë mesazhin për mosndëshkimin e përgjegjësve, Delattre ka nënvizuar se kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e papranueshme.
Delattre ndër të tjera i ka bërë thirrje Rusisë për zbatimin e një presioni më të fortë kundër regjimit.