Elena Teslova
10 Maj 2025•Përditësim: 12 Maj 2025
Liderët e Gjermanisë, Francës, Polonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë mbërritur në Kiev për të zhvilluar bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, transmeton Anadolu.
Siç raportuan mediat lokale, kancelari gjerman, Friedrich Merz, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministri polak, Donald Tusk dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, udhëtuan me tren për në kryeqytetin ukrainas dhe u pritën nga kreu i zyrës presidenciale, Andriy Yermak dhe ministri i Punëve të Jashtme, Andriy Sybiha.
Presidenti francez postoi një fotografi të përbashkët me Merz, Starmer dhe Tusk. Një ditë më parë, ai shprehu angazhimin e tij për të “ndërtuar një paqe të qëndrueshme” në Ukrainë.
Vendet evropiane dhe SHBA-ja më herët thanë se po punojnë për një projekt-propozim për një armëpushim 30-ditor në luftën Rusi-Ukrainë, e cila tani është në vitin e saj të katërt. Megjithatë, burimet tregojnë se iniciativa nuk ka marrë ende miratim të plotë dhe puna për të do të vazhdojë në takimin e sotëm në Kiev.
Presidenti rus, Vladimir Putin, mbështeti idenë e armëpushimit 30-ditor. Megjithatë, duke përmendur përvojën e mëparshme, ai shprehu shqetësim se Ukraina mund ta përdorë pauzën për të përforcuar pozicionet e saj dhe këmbënguli që një ndërprerje e furnizimeve me armë nga Perëndimi duhet të jetë pjesë e marrëveshjes.