Yusuf Özcan
05 Tetor 2017•Përditësim: 06 Tetor 2017
PARIS (AA) - Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se vendi i tij mbështet integritetin territorial të Irakut ndërsa referendumin e Administratës rajonale kurde e cilësoi si të paligjshëm, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ashtu siç e kam thënë para dhe pas referendumit ne mbështesim integritetin territorial dhe një shtet të fortë të Irakut", tha Macron pas një takimi me kryeministrin e Irakut Hajdar el-Ibadi ku mbajti një konferencë të përbashkët për media në rezidencën Elysee.
Para takimit, mes Francës dhe Irakut u nënshkrua një protokoll i cili do të forcojë bashkëpunimin në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor mes dy vendeve. Protokolli u nënshkrua nga ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian dhe ministri i Arsimit të Lartë të Irakut, Abdulrezzak Abdulxhelil.
Duke vënë në dukje se një nga çështjet më të rëndësishme që kanë diskutuar me Ibadin është lufta kundër terrorizmit, Macron tha se "Franca do të jetë e pranishme në Irak deri në fund dhe për aq kohë sa duhet për të luftuar kundër terrorizmit".
"Stabiliteti i Irakut është i nevojshëm edhe për stabilitetin e Sirisë", theksoi Macron dhe bëri të ditur se Fracna do të vazhdojë mbështetjen e saj që Iraku të mund të zgjidhë të gjitha problemet.
Ai tha se në javët dhe muajt e ardhshëm duhet të fillojë dialogu në emër të integritetit të Irakut ndërsa të drejtat ligjore të kurdëve duhet të jepen në kuadër të kushtetutës".
Më tej Macron ka rikujtuar se Franca i ka dhënë një borxh prej 430 milionë eurosh Irakut.
"Askush nuk mund të shkelë autoritetin federal"
Ndërsa kryeminsitri irakian Ibadi duke tërhequr vëmendjen se do të vazhdojnë luftën kundër terrorizmit dhe DEASH-it tha se Franca në këtë çështje luan një rol të rëndësishëm.
Ai tha se pavarësisht tensioneve që ka shkaktuar referendumi i Administratës rajonale kurde të Irakut, Peshmergët dhe forcat e sigurisë së Irakut duhet të bashkëpunojnë që të mos dobësohet lufta e Irakut kundër DEASH-it.
"Nuk dëshirojmë konflikt të armatosur me forcat e sigurisë së Irakut. Duhet të ruhet struktura federale. Askush nuk mund të shkelë autoritetin federal", tha Ibadi duke bërë të ditur se kanë marrë nën kontroll edhe kështjellën e fundit të DEASH-it.
Ndër të tjera Ibadi i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që në vend të mos shkaktohen më tensione të reja.