Sinan Doğan
05 Shkurt 2019•Përditësim: 06 Shkurt 2019
ANKARA (AA) – Lideri i Venezuelës, Nikolas Maduro, deklaroi se konsideron se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka ndërmend të ndërhyjë ushtarakisht në Venezuelë, duke porositur se arsyet e luftës së Trumpit ndaj vendit të tij janë nafta dhe pasuritë tjera që Venezuela zotëron, transmeton Anadolu Agency (AA).
Madura ka dhënë intervistën për kanalin televiziv Russia Today që emeton lajme në gjuhën spanjolle, ndërsa theksoi se problemet në vendin e tij mund të zgjidhen vetëm me dialog. Me sulme dhe grusht shtete, siç porositi Maduro, nuk do të fitohet asgjë.
Edhe njëherë duke i bërë thirrje opozitës dhe të gjitha vendeve për një marrëveshje dhe dialog, Maduro tha se është shumë e rëndësishme për të se si do të përmendet emri i tij në histori.
"Nuk do të jem tradhtar dhe një lider i dobët që i ktheu shpinën popullit të tij, i cili iku dhe nuk ka përmbushur premtimin e tij", tha Maduro. Qëllimi i tij i vetëm, siç thekson ai, është të përmbushë detyrimet që i ka premtuar popullit të tij.
Duke komentuar thirrjet e disa vendeve për mbajtjen e zgjedhjeve në vendin e tij, Maduro porositi se nuk ka nevojë për kurrfarë zgjedhjesh, dhe se sipas kalendarit zgjedhjet e radhës në vendin e tij janë madje ato parlamentare në vitin 2020.
Kur u pyet për presionin që ushtrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Maduro tha se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, synon të ndërhyjë ushtarakisht në Venezuelë.
"Cilat janë shkaqet e luftës së Donald Trumpit ndaj Venezuelës? Arsyet janë nafta, pasuria, ari, gazi, hekuri, diamantet dhe asetet e Venezuelës", tha Maduro.
Ai po ashtu theksoi se Venezuela mban të hapura kanalet komunikuese me botën.
“Në Venezuelë situata nuk vjen deri te pushtimi, por kjo nuk do të thotë se nuk do të jemi të gatshëm të mbrojmë vendin tonë të shenjtë nëse paraqitet nevoja”, porositi Maduro.
Ai theksoi se vendi i tij është duke u përballur me një luftë ekonomike, duke shtuar se paratë e nevojshme për vendin e tij nuk varen tërësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai vuri në dukje se Venezuela do ta zëvendësojë këtë zbrazëti me shitjet më intensive të naftës në Kinë, Rusi dhe Indi.