Malajzia është zhytur në krizë të re politike pasi partia më e madhe politike e vendit dhe aleati kryesor në koalicionin qeverisës Perikatan Nasional (PN) tërhoqi mbështetjen e saj për qeverinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Organizata e Bashkimit Kombëtar të Malajzisë (UMNO) të enjten vonë i bëri thirrje kryeministrit, Muhyiddin Yassin Muhyiddin të largohej, duke fajësuar për mënyrën e menaxhimit të pandemisë së koronavirusit nga qeveria e tij.
Një analist malajzian, megjithatë, tha se ky vendim i partnerit të koalicionit nuk do të çonte në kolaps të qeverisë.
Azmi Hassan nga Universiteti Malajzian i Teknologjisë tha se e ardhmja varet nga fakti nëse deputetët e UMNO-s tërheqin mbështetjen e tyre individuale për kryeministrin.
“Zakonisht kur lideri i një partie merr një vendim, të gjithë do ta ndjekin atë vendim. Megjithatë, kjo nuk do të ndodhë në politikën malajziane pasi varet nga vendimi individual i deputetëve”, tha Hassan për AA të enjten.
Kërkohen minimumi 112 deputetë në Dhomën me 222 vende për të formuar një qeveri të re.
Qeveria në pushtet ka një shumicë të ngushtë me vetëm 113 nga 222 vende, nga të cilat 38 i përkasin UMNO-s.
Ndërkohë, UMNO u ka dhënë "dritën të gjelbër" anëtarëve të saj të parlamentit duke propozuar një mocion mosbesimi kundër Muhyiddin kur mbledhja është caktuar më 26 korrik.
Mbreti ka fuqi të emërojë një kryeministër të përkohshëm
Deputeti i UMNO-s, Tengku Razaleigh Hamzah ka deklaruar tashmë se ai është i gatshëm të marrë përsipër përgjegjësinë si kryeministër i përkohshëm pasi vendi përballet me një krizë politike.
"Kushdo duke përfshirë veten duhet të jetë i gatshëm të marrë një detyrë të tillë në rast të një krize tjetër politike për të mbrojtur interesat e popullit", tha ai.
Hassan, megjithatë, tha se ai që ka autoritetin të emërojë kryeministrin e ri është Yang Di-Pertuan Agong, monarku kushtetues i kombit dhe kreu i shtetit.
Gjatë krizës politike malajziane në vitin 2020, Mahathir Mohamad u emërua kryeministër i përkohshëm nga mbreti.
"Unë nuk mendoj se Muhyidin do të japë dorëheqjen pa mocion mosbesimi në seancën parlamentare", shpjegoi ai.
UMNO nuk do të mbështesë kandidatin e opozitës Anwar Ibrahim
Ndërsa tërhiqte mbështetjen për kryeministrin, Wajdi Dusuki, shefi i të rinjve të UMNO-s Asyraf, sqaroi se partia e tij nuk do të japë mbështetje për udhëheqësin e opozitës, Anwar Ibrahim.
"Vendimi ynë pasqyron qëndrimin e udhëheqësve tanë të partisë për të mos mbështetur Anwar Ibrahim si kryeministër", tha ai në një deklaratë të enjten.
Deri më tani nuk ka pasur asnjë koment zyrtar nga ana e Anwar Ibrahim mbi lëvizjen e fundit nga UMNO dhe çfarë hapash ata do të ndërmarrin.
Mujahid Yusof Rawa, nënkryetar i Parti Amanah Negara (Amanah), tha se koalicioni Pakatan Harapan (PH) do të mbetet blloku më i madh i koalicionit në parlamentin e Malajzisë pasi UMNO tërhoqi mbështetjen e saj për kryeministrin.
"Koalicioni numëron 89 deputetë që mbështesin Anwar-in, por kjo nuk është e mjaftueshme për të formuar një qeveri të re", tha ai.
"Yang di-Pertuan Agong duhet të krijojë një qeveri të qëndrueshme për t'u marrë me pandeminë e COVID-19", tha Mujahid në një deklaratë.
Të mërkurën në mbrëmje, kreu i UMNO-s, Ahmad Zahid Hamidi njoftoi se partia e tij ka vendosur të tërheqë mbështetjen për Yassin dhe bëri thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.
Vendimi erdhi vetëm disa orë pasi Muhyiddin emëroi nënkryetarin e UMNO-s, Ismail Sabri, i cili është gjithashtu ministër i Mbrojtjes, në postin e zëvendëskryeministrit.
Sipas Zahid, vendimi u mor pasi Muhyiddin nuk arriti të përmbushë kushtet e parashtruara nga UMNO kur e mbështeti atë për t'u bërë kryeministër në mars 2020.
"Muhyiddin duhet t'i hapë rrugë kryeministrit të përkohshëm, i cili do të përqendrohet në trajtimin e pandemisë", shtoi ai.
Vendi i Azisë Juglindore deri më tani ka regjistruar më shumë se 800 mijë raste të COVID-19, me 8.868 raste të reja të enjten.