Faruk Zorlu
08 Tetor 2020•Përditësim: 08 Tetor 2020
Junta ushtarake e Malit ka liruar ish-kryeministrin e vendit dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare të cilët u arrestuan pas grusht shtetit të 18 gushtit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim, Këshilli Kombëtar për Shpëtimin e Popullit (CNSP), grupi ushtarak që kreu grushtin e shtetit, tha se një total prej 12 personash përfshirë civilë dhe oficerë ushtarakë janë liruar.
Në mesin e të liruarve janë ish-kryeministri Boubou Cisse, kryetari i Asamblesë Kombëtare Moussa Timbine dhe Ministri i Mbrojtjes, Ibrahima Dahirou Dembele.
Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) hoqi sanksionet e vendosura që prej 18 gushtit ndaj Malit, një ditë pasi qeveria kalimtare u formua më 5 tetor.
Megjithatë, ECOWAS kishte kërkuar që ata që ishin përgjegjës për tranzicionin e Malit "me shpejtësi" të zbatojnë vendime të tjera, në veçanti lirimin e të gjithë zyrtarëve ushtarakë dhe civilë të arrestuar që nga 18 gushti dhe shpërbërjen e CNSP-së.