Mustafa Keleş
06 tetor 2016•Përditësim: 06 tetor 2016
NEW YORK (AA) – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) Ban Ki-moon njoftoi mbrëmë se Marrëveshja e Parisit për ndryshimet klimatike e cila kaloi pragun e ratifikimit do të hyjë në fuqi më 4 nëntor, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një kumtesë të Zyrës së OKB-së për informim theksohet se Ban ka njoftuar të mërkurën se është kaluar pragu i dytë i nevojshëm që marrëveshja të hyjë në fuqi.
Ai ka lavdëruar përkrahjen ndërkombëtare duke shtuar se Marrëveshja e Parisit më konkretisht veprimi i përbashkët i shteteve jep një shpresë të re në luftën kundër ndryshimeve klimatike.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, kërkoi nga shtetet përpjekje shtesë në mënyrë që marrëveshja të zbatohet sa më mirë ndërkohë që kërkoi nga shtetet dhe sektori privat të ulin emetimin e gazrave serrë.
Ndryshe, ministrat e Mjedisit të 28 shteteve anëtare të BE-së javën e kaluar në mbledhjen e përbashkët ne Bruksel morën vendimin për përshpejtimin e Marrëveshjes së Parisit dhe pranimin e saj nga Parlamenti Evropian (PE).
Në dhjetor të vitit 2015 në Paris u mbajt Samiti për ndryshimet klimatike ku 175 shtete e nënshkruan marrëveshjen që parasheh kufizimin e nxehjes globale prej 1.5 deri në 2 gradë Celsius.