Ahmet Gürhan Kartal
12 Shtator 2022•Përditësim: 13 Shtator 2022
Parlamenti është instrumenti i gjallë dhe frymëmarrës i demokracisë sonë, tha sot Mbreti Charles III i Britanisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin e tij të parë para ligjvënësve, ai tha se Mbretëresha Elizabeth II “vendosi një shembull të detyrës vetëmohuese”, duke u zotuar të ndjekë shembullin e saj të përkushtimit ndaj një qeverie kushtetuese.
“Ndërsa qëndroj sot para jush, nuk mund të mos ndiej peshën e historisë që na rrethon dhe që na kujton traditat jetike parlamentare, të cilave anëtarët e të dy Dhomave i përkushtoheni me një përkushtim aq personal për përmirësimin e të gjithëve ne”, tha Charles.
Ai tha se nëna e tij e ndjerë “u zotua t'i shërbejë vendit dhe popullit të saj dhe të ruajë parimet e çmuara të qeverisjes kushtetuese që qëndrojnë në zemër të kombit tonë”.
Fjalimi i shkurtër i mbretit erdhi në një mbledhje historike të anëtarëve të Dhomës së Lordëve dhe Dhomës së Ulët në Pallatin e Westminster-it.
John McFall, kryetar i Dhomës së Lordëve, dhe Lindsay Hoyle, kryetar i Dhomës së Ulët, mbajtën fjalime ngushëllimi në këtë ngjarje.
Charles u shoqërua nga Mbretëresha Bashkëshorte Camilla.