Diyar Güldoğan
20 gusht 2026•Përditësim: 20 gusht 2026
Princi Harry dhe Meghan, Duka dhe Dukesha e Sussexit, planifikojnë të rikthehen në Mbretërinë e Bashkuar në fund të këtij muaji së bashku me dy fëmijët e tyre, raportuan të mërkurën mediat britanike, transmeton Anadolu.
Çifti synon të zhvendoset në një rezidencë private jombretërore jashtë Londrës, raportoi BBC-ja, duke cituar burime në dijeni të planeve të tyre. Lajmi u raportua fillimisht nga The Daily Telegraph dhe The Sun.
Sipas raportimeve, fëmijët e tyre, Princi Archie, 7 vjeç, dhe Princesha Lilibet, 5 vjeçe, pritet të fillojnë të ndjekin mësimet në një shkollë britanike në shtator.
Mbreti Charles III është informuar të dielën për planin e zhvendosjes, ndërsa Princi William dhe Catherine, Princesha e Uellsit, gjithashtu janë vënë në dijeni për planet e çiftit, thuhet në raportime.
Aktualisht nuk ka plane që Harry apo Meghan të rikthehen në detyra zyrtare si anëtarë aktivë të familjes mbretërore.
Rikthimi i planifikuar shënon një zhvillim të rëndësishëm për Dukën dhe Dukeshën e Sussexit, të cilët u zhvendosën në Shtetet e Bashkuara pasi hoqën dorë nga detyrat mbretërore në fillim të vitit 2020.