Islam Uddin
25 Gusht 2020•Përditësim: 26 Gusht 2020
Mjekët e Koresë së Jugut nga sot kanë njoftuar grevë tre ditëshe në mbarë vendin pavarësisht nga shpërthimi i ri i koronavirusit në vend, njoftuan mediat, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas agjencisë së lajmeve Yonhap, mijëra mjekë praktikantë kanë protestuar përgjatë javës së fundit. Më shumë mjekë pritet t’i bashkohen grevës në shkallë të plotë këtë javë, duke ngritur shqetësimin për sistemin e kujdesit shëndetësor të vendit.
Mjekët praktikantë protestojnë kundër planit të ri të qeverisë për të zgjeruar pranimet në shkollat mjekësore me 4.000 gjatë 10 viteve të ardhshme për të zgjeruar shtrirjen e shërbimeve të kujdesit shëndetësor.
Hapi i së mërkurës mund të ketë ndikime shumë të gjera në sistemin e kujdesit shëndetësor pasi pacientët tashmë kanë pësuar dëmtime, tha agjencia.
Më herët Ministria e Shëndetësisë paralajmëroi veprim të rreptë kundër demonstruesve dhe lëshoi një urdhër kthimi në punë. Sidoqoftë, autoritetet ende kërkojnë një zgjidhje miqësore për t'i dhënë fund krizës.
"Nuk është e përshtatshme për të ngritur çështjen pasi jemi në bisedime me sektorin mjekësor", citoi agjencia Son Young-rae, një zyrtar të lartë shëndetësor.
Të martën, Koreja e Jugut raportoi 280 infeksione tjera gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin në të gjithë vendin në 17.945. Vendi gjithashtu raportoi një vdekje më shumë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 310, sipas agjencisë.