Diyar Güldoğan
23 Gusht 2017•Përditësim: 24 Gusht 2017
ANKARA (AA) – Kryeministri i Izraelit, Benjamn Netanyahu, ka deklaruar se përpjekjet e Iranit për të forcuar praninë e tij në Siri paraqesin një kërcënim global, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Irani është duke bërë përpjekje të mëdha për të forcuar praninë e tij në Siri, gjë që përbën një kërcënim për Izraelin, Lindjen e Mesme dhe unë besoj për të gjithë botën”, ka deklaruar Netanyahu gjatë një takimi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në qytetin bregdetar rus të Sochi-it.
Sipas një njoftimi me shkrim nga Kremlini, Netanyahu, ka thënë se Teherani ishte tashmë “në një fazë të përparuar” të kontrollit dhe ndikimit në Irak, Jemen dhe Liban.
“Zoti presidenti, ne të gjithë e mposhtim së bashku DEASH-in dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Por, gjëja negative është se ku ne e mposhtim DEASH-in dhe ajo zhduket, hyn aty Irani”, ka theksuar kryeministri izraelit, sipas Kremlinit.
Ndërkaq, Putin është shprehur se do të ishte i kënaqur të shihte zhvillimin e "mekanizmave të bashkëpunimit efektiv" mes Rusisë dhe Izraelit.
“Ne mbajmë takime të rregullta dhe urgjente kur rrethanat kërkojnë përfshirjen tonë të drejtpërdrejtë, por diskutojmë edhe marrëdhëniet dypalëshe dhe situatën në rajon”, ka shtuar ai.
Zyrtarët izraelitë në vazhdimësi kanë thënë se nuk duan të shohin Sirinë e shkatërruar nga lufta si një bazë përpara për Iranin.
Që nga shpërthimi i konfliktit të Sirisë në fillim të vitit 2011, Izraeli herë pas herë ka goditur objektiva brenda territorit sirian.