Merve Berker
24 Mars 2021•Përditësim: 24 Mars 2021
Shkencëtarët nigerianë kanë zhvilluar dy vaksina kundër koronavirusit të ri (COVID-19), njoftoi një zyrtar qeveritar, raporton Anadolu Agency (AA).
Bosi Mustapha, kryetari i Task Forcës Presidenciale për COVID-19, tha se testet klinike për vaksinat e reja janë duke u zhvilluar.
"Vaksinat do të përdoren pas përfundimit të testeve klinike dhe marrjes së certifikimit. Ky është një zhvillim i mirëpritur që do të hapë një pamje të re në zbulimin shkencor dhe do të rritë moralin dhe imazhin e industrisë mjekësore në vend", tha Mustapha.
Ai u bëri thirrje të gjitha agjencive përkatëse të sigurojnë mbështetjen e kërkuar, me synimin për të inkurajuar dhe motivuar studiues të tjerë.
Së paku 162 mijë raste të lidhura me virusin janë shënuar në vend dhe 2.031 njerëz kanë vdekur nga virusi, ndërsa mbi 148.500 njerëz janë shëruar nga sëmundja.