Şerife Çetin
12 Dhjetor 2017•Përditësim: 12 Dhjetor 2017
BRUKSEL (AA) – Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian (BE) i cili mbledh ministrat e 28 vendeve anëtare të Unionit caktoi axhendën e Samitit të Liderëve të BE-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga Këshilli i BE-së thuhet se "Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, i cili mblidhet çdo muaj për takimet e Këshillit, ka përfunduar përgatitjet për Samitin e Liderëve të BE-së, i cili do të mbahet mes datave 14-15 dhjetor".
Në deklaratë thuhet se Samiti do të fokusohet në mbrojtje, çështjet sociale, marrëdhëniet e jashtme dhe çështjen e emigracionit.
Gjithashtu bëhet e ditur se në Samit liderët do të japin mbështetje për Bashkëpunimin e Përhershëm të Strukturuar (PESCO), ndërsa në kuadër të këtij Samiti do të diskutohet edhe çështja e bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së në fushën e mbrojtjes.
Më tej thuhet se liderët do të hapin diskutim për çështjet sociale në fushën e arsimit dhe të kulturës, për të aplikuar vendimet e arritura në Samitin Social të organizuar në Goteborg.
Në Samit do të diskutohen edhe zhvillimet e fundit në marrëdhëniet e jashtme dhe se në kuadër të kësaj do të vlerësohen edhe hapat që do të ndërmerren në të ardhmen për çështjen e emigrimit.