Seda Sevencan
26 maj 2022•Përditësim: 27 maj 2022
Organizatat turke mediatike ndanë përvojat e tyre me mediat afrikane për të ndihmuar në parandalimin e keqkuptimeve në kontinent në media, tha sot nënkryetari i Presidencës Turke për Turqit Jashtë Vendit dhe Komunitetet Mike (YTB), raporton Anadolu Agency (AA).
“Jemi duke kryer hulumtime mediatike në YTB, veçanërisht me organizata joqeveritare që njohin sociologjinë e Afrikës”, tha Abdulhadi Turus, duke folur në një panel të titulluar “Investimi në kapitalin njerëzor të Afrikës” mbajtur nën Samitin e Medias Turqi-Afrikë në Stamboll.
Në samit, organizuar nga Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Turqisë, Turus nënvizoi rëndësinë se si perceptohen ngjarjet dhe se YTB synon të ndërtojë perceptime të sakta në botë, kundër atyre që janë të rreme.
Po kështu, Turqia synon gjithashtu të parandalojë keqkuptimet dhe të përhapë të vërtetën, si dhe të ndihmojë njerëzit që përballen me shtypjen ose varfërinë në çdo pjesë të botës, shtoi ai.
Përveç Turus, në panel morën pjesë edhe Rahman Nurdun, nënkryetar i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), dhe Birol Akgün, shefi i Fondacionit Maarif të Turqisë. Paneli u moderua nga Ibrahim Bachir, studiues në Universitetin e Bayreuth-it në Gjermani.
Nurdun vuri në dukje se TIKA hapi zyrën e saj të parë në Afrikë në vitin 2005, kur hapi degën e saj në Addis Abeba në Etiopi. Kjo u pasua nga zyrat e saj në Kenia dhe Senegal, shtoi ai.
“TIKA realizon mesatarisht 400 projekte çdo vit në Afrikë. Dallimi ynë nga aktivitetet e ndihmës së vendeve të tjera është modeli turk i zhvillimit që presidenti ynë (Recep Tayyip Erdoğan) ka shprehur gjithmonë. Ne kurrë nuk ua imponojmë kërkesat tona vendeve të Afrikës”, shtoi ai.
Ndërkohë, Akgün theksoi se marrëdhëniet Turqi-Afrikë janë forcuar dhe kanë evoluar në një dimension të ri që kur Ankaraja nisi një iniciativë në vitin 2005 për të zgjeruar lidhjet me kontinentin.
Turqia dhe Afrika plotësojnë njëra-tjetrën dhe marrëdhëniet e tyre kanë shkuar përtej ndihmës dhe zhvillimit humanitar, tha ai.
Samiti dyditor filloi të mërkurën, duke shënuar Ditën e Afrikës më 25 maj.
U diskutuan një sërë çështjesh, duke përfshirë sfidat e paspandemisë në gazetari, gazetarinë në ambientin digjital dhe gratë në gazetari.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin 80 anëtarë të medias nga 45 vende afrikane, diplomatë afrikanë, zyrtarë publikë dhe anëtarë të shoqërisë civile.
Programi synon të forcojë bashkëpunimin e Ankarasë me mediat dhe profesionistët afrikanë të medias.