Betül Yürük
25 Korrik 2017•Përditësim: 25 Korrik 2017
OKB (AA) – Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dënuan sulmet terroriste në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, ku humbën jetën më shumë se 70 persona dhe në qytetin Lahor të Pakistanit ku humbën jetën dhe u plagosën më shumë se 80 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga KS e OKB-së dënohen sulmet e cilësuara si “të shëmtuara dhe frikacake”.
Në deklaratë ku shprehet ngushëllim për të afërmit e viktimave të sulmeve terroriste si dhe për popujt e Afganistanit dhe Pakistanit, theksohet se terrorizmi është një nga kërcënimet kryesore kundër paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Duke vënë në dukje rëndësinë e arrestimit dhe të sjelljes para drejtësisë së autorëve të krimit, organizatorëve dhe financuesve të tyre, në deklaratë thuhet se do të vazhdohet bashkëpunimi me Afganistanin dhe Pakistanin në luftën kundër terrorizmit.
Po ashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres, në një deklaratë dënoi sulmet terroriste të cilat i quajti “të tmerrshme”.