Ekip
13 Mars 2019•Përditësim: 13 Mars 2019
Pakistani ka aprovuar zgjerimin e listës së vendeve qytetarët e të cilëve mund të udhëtojnë pa viza me pesë anëtarë të rinj, ku përfshihet edhe Turqia, raporton Anadolu Agency (AA).
Informatën e bëri të ditur ministri pakistanez i Informacionit, Fawad Hussain Chaudhry, gjatë ceremonisë së inaugurimit të zyrës së AA-së në Islamabad, duke theksuar se vendimi zyrtarisht do të shpallet të enjten, më 14 mars, nga kryeministri i Pakistanit, Imran Khan.
“Kam nderin që të njoftoj se ne kemi miratuar regjimin e ri për viza për pesë vende dhe Turqia është përfshirë në listën e vendeve të liruara nga vizat”, tha Chaudhry, duke mos saktësuar se cilat janë vendet tjera gjenden në këtë listë.
Shtetasit e Turqisë tani do të kenë mundësinë që të marrin vizat pas arritjes në Pakistan, pa e pasur të patjetërsueshme që të aplikojnë paraprakisht.
Chaudhry theksoi se vendimi është pjesë e politikës së re pakistaneze për turizëm, ku Turqia e merr statusin special.
“Presidenti Erdoğan i ka qëndruar pas Pakistanit në krizën aktuale me Indinë dhe ne jemi shumë mirënjohës ndaj presidentit Erdoğan dhe Qeverisë së Turqisë”, tha Chaudhry.
Në janar të këtij viti, Pakistani shpalli vendimin për të lejuar viza pas arritjes në vend për 50 shtete, si dhe viza elektronike për 175 shtete tjera, me shpresën se do ta stimuloj turizmin.
Ambasadori i Republikës së Turqisë në Pakistan, Ihsan Mustafa Yurdakul, ka mirëpritur vendimin duke thënë se kjo do të rrisë interesim e afaristëve turq që të investojnë në Pakistan dhe kështu të përmirësojnë lidhjet dypalëshe.
“Pakistani është një vend i mrekullueshëm, njerëzit janë mikpritës dhe vendi ka shumë bukuri të fshehura për të zbuluar”, tha ambasadori Yurdakul.