Ekip
25 Shkurt 2019•Përditësim: 26 Shkurt 2019
Pakistani ka lejuar hapjen e llogarive bankare në bankat lokale për rreth 1.5 milionë refugjatë të regjistruar afganë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Unë kam dhënë udhëzime sot, që refugjatët afganë që janë të regjistruar, të mund të hapin llogari bankare dhe që tani e tutje ata marrin pjesë në ekonominë formale të vendit. Kjo duhet të ishte bërë shumë kohë më parë”, shkroi kryeministri pakistanez, Imran Khan, në llogarinë e tij në Twitter.
Mundësia për hapjen e llogarive bankare nuk do të jetë në dispozicion për refugjatët e paregjistruar.
Në Pakistan jetojnë mbi 2.5 milionë refugjatë afganë, shifër me të cilën për nga numri i refugjatëve Pakistani renditet i dyti pas Turqisë, e cila strehon mbi 3 milionë refugjatë sirianë.
Nga 2.5 milionë, rreth 1.5 milionë refugjatë afganë janë të regjistruar në Pakistan, ndërsa mbi një milion jetojnë pa dokumente, kryesisht në provincën veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa dhe në provincën jugperëndimore Balochistan që kufizohet me Afganistanin.
Kjo lëvizje përkon me raundin e ri të bisedimeve të drejtpërdrejta midis SHBA-ve dhe talebanëve afganë në Doha, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të negociuar për konfliktin e përgjakshëm në Afganistanin fqinj, i cili ka hyrë në vitin e 18-të.
Sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), që nga viti 2002 mbi 3.8 milionë refugjatë janë riatdhesuar në Afganistan, por shumë prej tyre janë kthyer në Pakistan për shkak të dhunës së vazhdueshme, papunësisë dhe mungesës së arsimit dhe pajisjeve mjekësore.