Ekip
01 Mars 2018•Përditësim: 01 Mars 2018
ISLAMABAD (AA) – Pakistani ka përshëndetur ofertën e presidentit afgan, Ashraf Ghani, për të kërkuar paqe nëpërmjet dialogut me talebanët dhe siguroi se do të ofrojë të gjithë ndihmën e mundshme për të sjellë paqen në Afganistan, njoftuan mediat vendase, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas konferencës ndërkombëtare të paqes të mbajtur dje në Kabul, ambasadori afgan në Pakistan, Omar Zakhilwal, u takua me gjeneralin e pensionuar, Nasser Khan Janjua, këshilltar i sigurisë kombëtare të Pakistanit dhe përcolli mesazhin e presidentit afgan për marrëdhënie të mira me Pakistanin për të sjellë paqe të qëndrueshme në rajon, njoftoi e përditshmja lokale The Nation.
"Pakistani mirëpriti ofertën e presidentit Ghani për të kërkuar paqen përmes dialogut dhe ne jemi të gatshëm për mbështetjen në sjelljen e paqes në Afganistan", i tha Janjua ambasadorit afgan.
"Ne diskutuam një gamë të gjerë çështjesh që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe të Afganistanit dhe Pakistanit, mjedisin aktual dhe hapat specifike për një rrugë pozitive dhe konstruktive përpara", shkroi në Twitter pas takimit, Zakhilwal.
Dje, gjatë një konference në Kabul, presidenti afgan ofroi bisedime pa kushte për paqe dhe u bëri thirrje talebanëve të shmangin dhunën dhe të shndërrohen në parti politike.