Rıyaz Khalıq
30 Janar 2020•Përditësim: 30 Janar 2020
Pas kthimit në shtëpi nga Kina, tre shtetas japonezë u konfirmuan pozitivë ndaj koronavirusit, i cili për herë të parë u shfaq muajin e kaluar në Kinën qendrore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas mediave lokale, Ministria e Shëndetësisë së Japonisë tha se tre personat që u kthyen nga qyteti kinez Wuhan në një fluturim çarter nga qeveria u testuan pozitivë nga koronavirusi.
Ministria japoneze tha se njëri nga tre shtetasit e saj që janë shtruar në spital është në gjendje të qëndrueshme, ndërsa dy janë pa simptoma.
Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Infektive në Japoni tha se është rasti i parë i regjistruar jashtë Kinës që një person pa simptoma është konfirmuar si i infektuar me koronavirus.
Virusi, i cili u shfaq në qytetin Wuhan të provincës Hubei, ka shkaktuar të paktën 170 të vdekur ndërsa rreth 7.700 të tjerë u infektuan me virusin që thuhet se është transmetuar te njerëzit nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët.
Virusi ka ngritur alarmin në nivel global, me raste të raportuara në Azi, Evropë, SHBA dhe Kanada.
SHBA-të dhe Japonia dje evakuuan qytetarët e tyre nga qyteti kinez Wuhan ndërsa disa vende të tjera janë në bisedime me Kinën për të kthyer qytetarët e tyre në shtëpi.
Qeveria japoneze në fluturimin e parë çarter nga qeveria evakuoi 206 qytetarë të saj nga qyteti i vendosur në karantinë. Ndërsa sot, sipas autoriteteve, vendi solli në shtëpi rreth 210 të tjerë, ndër të cilët ka që shfaqin simptoma të tilla si kollitje.
Ndërkohë, Koreja e Jugut tha se gjatë ditës pritet të dërgojë një avion drejt qytetit Wuhan për të sjellë në shtëpi shtetasit e saj.
Seuli dhe Pheniani mbyllën përkohësisht zyrën e tyre të përbashkët ndërlidhëse në qytetin kufitar të Koresë së Veriut në Kaesong, për shkak të frikës nga koronavirusi.
Studiuesit zbuluan se sëmundja përhapet përmes kontakteve mes njerëzve, duke detyruar Kinën të mbyllë institucionet arsimore dhe transportin publik. Të paktën 30 provinca të Kinës janë në gatishmëri për shkak të krizës shëndetësore.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) javën e kaluar u takua dy herë për krizën shëndetësore.
Më vonë sot, do të mblidhet një panel urgjent për të diskutuar kërcënimin e virusit vdekjeprurës.
Dje, agjencia globale e shëndetit paralajmëroi se përhapja e virusit jashtë Kinës është “shqetësim i rëndë”. Ajo i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar “të jetë në gatishmëri” për të luftuar koronavirusin e ri.