Beyza Binnur Dönmez
16 Janar 2019•Përditësim: 16 Janar 2019
ANKARA (AA) – Liderët e arrestuar katalanas të akuzuar për rebelim dhe kryengritje, pritet që së shpejti të transferohen në kryeqytetin spanjoll Madrid, ku do të nisë procesi kundër tyre në Gjykatën e Lartë të Spanjës, transmeton Anadolu Agency (AA).
E përditshmja spanjolle La Vanguardia shkruan se nëntë të burgosurit politikë katalanas, në mesin e të cilëve edhe ish-nënkryetari i Katalonjës, Oriol Junqueras, kandidati presidencial i Katalonjës Jordi Turull, si dhe Raul Romeva, Josep Rull dhe Joaquim Forn, do të merren nga burgjet në Barcelonë, Girona dhe Tarragona për t'u dërguar në Madrid në seancën e cila do të mbahet më 29 janar ose më 5 shkurt.
Junqueras dhe Forn mbahen prapa grillave që nga dhjetori i vitit 2017, ndërsa Turull, Romeva dhe Rull u arrestuan në mars të vitit 2018, që të gjithë pas referendumit të njëanshëm të tetorit të vitit 2017 dhe shpalljes së mëvonshme të pavarësisë.
Kujtojmë se Spanja shpërndau parlamentin katalanas dhe thirri zgjedhje të reja për në dhjetor të vitit 2017.
Presidenti katalanas, Carles Puigdemont, arriti të largohej nga Spanja në Belgjikë, por paraprakisht u ndal për 12 ditë në Gjermani nën një urdhër arresti evropian.
Më vonë, ai u lirua ku dhe vazhdoi rrugën për në Bruksel, ku ende ndodhet në mërgim.