Burak Bir
02 Prill 2020•Përditësim: 03 Prill 2020
Megjithë një rritje premtuese e popullsisë së rinoçerontëve të zinj të Afrikës, kjo specie vazhdon të mbetet e rrezikuar në mënyrë kritike, pasi copëtimi dhe kërkesa për brirët e tyre vazhdojnë në të gjithë kontinentin dhe në mbarë botën, shkruan Anadolu Agency (AA).
Më 19 mars, Unioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) njoftoi se nga 2012 deri 2018, popullsia e rinoçerontit të zi u rrit me një normë vjetore me 2.5 për qind nga rreth 4.845 në 5.630 sosh.
Por, organi i ruajtjes paralajmëroi se rinoçerontët mbeten nën kërcënim dhe do të ketë një ulje të nivelit të rritjes së popullsisë së tyre gjatë 5 viteve të ardhshme, sipas modelit të popullsisë.
"Derisa rinoçeronti i Afrikës nuk është aspak i sigurt nga zhdukja, rimëkëmbja e vazhdueshme dhe e ngadaltë e popullsisë së rinoçerotëve të zinj është dëshmi për përpjekjet e jashtëzakonshme të bëra në vendet ku ndodhen speciet dhe një sensibilizim i fuqishëm për komunitetin global se ruajtja funksionon. Në të njëjtën kohë, është e qartë se nuk ka vend për vetëkënaqësi pasi copëzimi i tyre dhe tregtia e paligjshme mbetet kërcënim i vazhdueshëm", tha Grethel Aguilar, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të IUCN.
Lista e kuqe e specieve të rrezikuara, e cila u themelua në vitin 1964 nga IUCN ka evoluar duke u bërë burimi më i gjerë informues në botë mbi statusin e ruajtjes globale të kafshëve, kërpudhave dhe specieve bimore.
Rinoçeronti i Zi (Diceros bicornis), i quajtur edhe rinoçeronti me grep, ka katër nën-specie dhe është më i vogël nga dy speciet e rinoçerontit të Afrikës ndërsa tjetri është rinoçeronti i bardhë.
Kjo specie jeton në të gjithë Afrikën Jugore dhe Lindore, përfshirë Kenian, Tanzaninë dhe Zimbabven. Rinoçeronti i zi aktualisht është nën kërcënim serioz nga copëtimi, të nxitur nga kërkesa për brirët e rinoçerotit, të cilat përdoren në ilaçet kineze.
- "Të gjithë rinoçerontët në rrezik nga copëtimi"
Përveç se është përbërës "i vlefshëm" për ilaçet tradicionale në Kinë si dhe në Vietnam, brirët e rinoçerontit përdoren si simbol për të shfaqur sukses dhe pasuri, gjë që i bën të gjitha llojet e specieve të rinoçerontit shënjestër nga gjuetarët, tha për AA, Emma Pereira, menaxhere e komunikimit në organizatën ndërkombëtare "Save the Rhino".
"Pas shpërthimit të parë koronavirusit (COVID-19), pati një numër të madh të lajmeve të rreme, nga njerëzit që thonin se briri i rinoçerontit ishte burim i virusit ndërsa disa të tjerët thonin se mund të përdoret si kurë", tha Pereira, duke theksuar se asnjëra nga pretendimet nuk është e vërtetë.
Ajo tha se duhet të punojnë me njerëzit për të ndryshuar bindjet dhe të kuptuarit për të qenë të suksesshëm në zvogëlimin e kërkesës për brirët e rinoçerontit dhe gjahun e tyre.
Përhapja e koronavirusit do të ketë ndikim serioz në punën e ekipit të ruajtjes në terren.
"Shumë prej vendeve që ne përkrahim mbështeten në turizëm, si pjesë e të ardhurave të tyre dhe humbja e këtij burimi të madh të ardhurash do të thotë se ata do të duhet të vazhdojnë punën jashtëzakonisht të vështirë me burime më të ulta", tha ajo.
Pereira tha se ndryshimi i sjelljes së njerëzve për t'i dhënë fund dëmtimit të rinoçerontëve është një tjetër element kryesor në ndalimin e copëzimit të rinoçerontëve dhe tregtisë së paligjshme me brirët e tyre si dhe zbatimin më efektiv të ligjit.
Edhe pse tregtia ndërkombëtare me brirët e rinoçerontit është ndaluar që nga viti 1977 në bazë të Konventës për Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara të Faunës dhe Florës (CITES), një marrëveshje globale midis qeverive që duhet të ndjekin rregullat për të monitoruar, rregulluar ose ndaluar tregtinë ndërkombëtare të specieve nën kërcënim, kërkesa mbetet e lartë dhe vazhdon të rrezikojë rinoçerontët në Afrikë dhe Azi.
Organizata "Save the Rhino", e themeluar në 1994 me seli në Britani të Madhe, angazhohet për ruajtjen e popullsisë së rinoçerontëve të rrezikuar në Afrikë dhe Azi.