Irmak Akcan
28 korrik 2026•Përditësim: 28 korrik 2026
Presidenti i Kinës, Xi Jinping priti në një takim në Pekin presidentin e Sllovakisë, Peter Pellegrini, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë Xinhua, Xi zhvilloi një takim me Pellegrinin, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Kinë.
Në një deklaratë lidhur me takimin të bërë në platformën e mediave sociale të kompanisë me bazë në SHBA, X, Pellegrini tha se me Xi-në konfirmuan rëndësinë e partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe synimin e përbashkët për "ndërtimin e urave më të forta mes Sllovakisë dhe Kinës".
Duke theksuar se Sllovakia, si një vend anëtar i Bashkimit Evropian (BE), është e vendosur të zgjerojë bashkëpunimin në fushat e tregtisë, investimeve, teknologjisë, shkencës, arsimit të lartë dhe turizmit, Pellegrini tha: "E ardhmja u përket kombeve që përqafojnë inovacionin, investojnë në dije dhe nxisin bashkëpunimin ndërkombëtar".
Pellegrini tha se e ka ftuar Xi-në për vizitë në Sllovaki, duke e vlerësuar takimin me presidentin kinez si një hap në rrugën drejt një partneriteti që do të sjellë përfitime për të dyja vendet dhe do të kontribuojë në bashkëpunimin global.
Në një deklaratë të zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, në platformën X, u bë e ditur gjithashtu se Xi gjatë takimit tha se mes dy vendeve ekziston një miqësi e thellë dhe e qëndrueshme.
Më tej u theksua se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me Sllovakinë për të zhvilluar partneritet strategjik të bazuar në parimet e respektit të ndërsjellë, besimit, interesave të përbashkëta, barazisë dhe stabilitetit. "Kina e sheh gjithmonë BE-në si partnere dhe i zhvillon marrëdhëniet me BE-në me sinqeritet dhe mirëbesim", thuhet në deklaratë.
Pritet që Sllovakia të luajë rol konstruktiv në mbështetjen e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-BE, theksohet në deklaratë.
Sipas lajmit të Rrjetit Televiziv Global të Kinës (CGTN), Pellegrini, i cili mbërriti në Pekin dje me ftesë të presidentit kinez, po zhvillon vizitën e tij të parë zyrtare në Kinë që nga marrja e detyrës në vitin 2024.