Mehmet Hatipoğlu
22 prill 2019•Përditësim: 23 prill 2019
Pretendohet se është zbuluar "dobësi sigurie" në lidhje me 8 ushtarakët puçistë që u arratisën në Greqi pas përpjekjes për grusht shteti në Turqi më 15 korrik 2016 nga organizata terroriste FETO, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gazeta greke "Eleftheros Typos" lidhur me ushtarakët puçistë pretendon se nga 90 është ulur në 3 numri i policëve të cilët janë caktuar për ruajtjen e tyre në ndërtesën e policisë greke (ELAS) ku ata u vendosën për shkak të frikës se mund të rrëmbehen ose vriten pas dhënies së azilit nga gjykata greke.
Në artikullin e gazetës thuhet se gjatë ditëve të fundit, ndërtesa ku 8 puçistët qëndrojnë prej më shumë se një viti ruhet nga 3 policë të njësive të anti-terrorizmit me ndërrim për çdo 8 orë dhe se kjo situatë përbën një "dobësi sigurie" për ushtarët e arratisur.
Në lajmet e mëparshme në shtypin grek ishte bërë e ditur se një ekip policor prej 90 forcave policore, përfshirë edhe snajperistë ruanin 8 ushtarakët puçistë pasi ata dolën nga burgu kur morën të drejtën e azilit nga gjyqësori grek.
Gjyqësori grek refuzoi ekstradimin e 8 puçistëve në Turqi të cilët u arratisën në Greqi me helikopter ushtarak menjëherë pas tentativës për grusht shteti më 15 korrik 2016. Ndërsa më pas gjykata greke vendosi t'u japë puçistëve edhe të drejtën e azilit.