Amir Latif Arain
20 gusht 2026•Përditësim: 20 gusht 2026
Trupat e dy shtetasve pakistanezë të vrarë në një sulm të kryer nga grupi jemenas Huthi ndaj një anijeje tregtare në Detin e Kuq u riatdhesuan të enjten nga Jemeni, tha ministri i Jashtëm i Pakistanit, transmeton Anadolu.
Gjashtë marinarët pakistanezë të plagosur në sulm gjithashtu “u kthyen të sigurt” në Pakistan, tha Ishaq Dar në një postim në platformën sociale amerikane X.
Gjithsej gjashtë persona, përfshirë tre shtetas pakistanezë, u vranë dhe dhjetë të tjerë u plagosën javën e kaluar kur Huthit sulmuan një anije tregtare me flamur të Tanzanisë në Ngushticën Bab al-Mandeb.
Deklarata e Darit nuk përmendi se çfarë ka ndodhur me trupin e shtetasit të tretë pakistanez të vrarë në sulm.
“Të gjitha palët përkatëse janë udhëzuar të sigurojnë riatdhesimin e tyre të sigurt, dinjitoz dhe sa më të shpejtë”, shtoi Dar.
Ai vlerësoi thellësisht bashkëpunimin e ofruar nga Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite, përfshirë ndihmën mjekësore dhe masat e marra në Xheda.
Pakistani e dënoi sulmin në termat “më të fuqishëm” dhe ritheksoi se siguria dhe mbrojtja e marinarëve duhet të garantohen në çdo kohë.
“Ne mbetemi të përkushtuar për të ofruar çdo ndihmë të mundshme për marinarët e plagosur dhe familjet e të ndjerëve”, tha Dar.