Ali Cura
26 Qershor 2020•Përditësim: 26 Qershor 2020
Numri i të diagnostikuarve me koronavirusin e ri (COVID-19) deri më tani në Rusi ka shkuar në mbi 620 mijë, ndërsa rastet e konfirmuara ditore kanë rënë në 7 mijë për herë të parë gjatë dy muajve të fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Infeksioneve të Koronavirusit njoftoi se në 24 orët e fundit janë diagnostikuar 6.800 raste të reja me virusin, për ta çuar shifrën e përgjithshme në 620.794.
Ndërkaq, bilanci ditor i të vdekurve është rritur për 176, me çka numri i përgjithshëm i të vdekurve ka shkuar në 8.781, gjersa numri i të shëruarve ka arritur në 344.416, me 4.705 të shëruar në 24 orët e fundit.
Që nga 29 prilli, Rusia çdo ditë ka raportuar të paktën 7 mijë raste të reja me virusin.
Në Moskë janë regjistruar 813 raste të reja, duke e çuar shifrën e përgjithshme në 218.604, ndërsa numri i të vdekurve në kryeqytetin rus ka mbërritur në 3.694, me 25 viktima të reja.
Nga ana tjetër, Shërbimi i Shëndetit Publik dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Konsumatorit bëri të ditur se deri më tani në Rusi janë kryer mbi 18,4 milionë teste.
Rasti i parë me COVID-19 në Rusi u zbulua më 31 janar, ndërsa vdekja e parë u regjistrua më 19 mars. Autoritetet filluan të zbatojnë masat parandaluese nga fundi i muajit mars.
Në rajonet më pak të goditura, autoritetet kanë lehtësuar masat, por e kanë bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave dhe dorezave në vendet e mbyllura dhe të frekuentuara.
Nga 9 qershori, në Moskë u hoq kufizimi i lëvizjes që kishte hyrë në fuqi më 30 mars.