Michael Gabriel Hernandez
26 mars 2020•Përditësim: 27 mars 2020
SHBA ofroi shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacione që çojnë në arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, pasi ngriti aktakuzë ndaj tij për "narkoterrorizëm", transmeton Anadolu Agency (AA).
Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, William Barr, tha se Maduro dhe zyrtarët e tij të lartë për 20 vjet "kanë komplotuar me FARC (Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë), duke shkaktuar që tonelata me kokainë të hyjnë dhe të shkatërrojnë komunitetet amerikane".
"Njoftimi i sotëm është përqendruar në çrrënjosjen e korrupsionit të gjerë brenda qeverisë së Venezuelës, një sistem i ndërtuar dhe i kontrolluar për të pasuruar ata në nivelet më të larta të qeverisë. Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë që këta zyrtarë të korruptuar Venezuelës të përdorin sistemin bankar amerikan për të lëvizur të ardhurat e tyre të paligjshme nga Amerika e Jugut dhe as t'i avancojnë skemat e tyre kriminale", ka thënë Barr në një deklaratë.
Është rast i pazakontë që SHBA të ngre aktakuzë kundër një kryetari shteti, por administrata Trump prej kohësh ka kërkuar rrëzimin e Maduros në favor të liderit të opozitës Juan Guaido, i cili e shpalli veten president të përkohshëm në janar të vitit 2019 në vazhdën e një beteje për pushtet me Maduron.
Përveç kësaj, SHBA ka ofruar gjithashtu nga 10 milionë dollarë për tre bashkëpunëtorë të tjerë të Maduros dhe deri në 5 milionë dollarë për informacion mbi udhëheqësin e FARC-ut, Marin Arango.
Maduro e dënoi vendimin dhe akuzoi Washingtonin se po kërkon "të mbushë Venezuelën me dhunë".
"Si kryetar i shtetit, unë jam i detyruar të mbroj paqen dhe stabilitetin e gjithë atdheut, pa marrë parasysh se çfarë del në rrugën tonë", tha ai në Twitter.